Regjistrimi i motoçikletave vetëm me patentë shoferë

Ndryshimi i Ligjit për Automjete i bërë ditëve të fundit nga Qeveria e Kosovës kanë prekur edhe adhuruesit e motoçikletave në vendin tonë. Të gjithë ata që kanë motoçikletë me kapacitet mbi 125 cm kubik, nga 27 qershori i këtij viti nuk mund t’i regjistrojnë ato pa pasur patentë shoferë të kategorisë “A”.

Lajme

04/07/2017 18:57

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), kanë treguar se pronarët e motoçikletave me kapacitet më të madh se 125 cm kubik, për t’i regjistruar ato duhet të kenë patentë shoferë përkatës.

“Dispozitat e nenit 50 dhe 51 të këtij ligji nuk vlejnë për moped dhe motoçikleta, kapaciteti i punës së motorit tek të cilat nuk është më i madh se 125 cm kubik dhe fuqia e motorit nuk është më  shumë se deri 11 kw si dhe proporcioni i fuqisë së motorit të mjetit me masën e mjetit nuk tejkalon 0.1 kw”, ka thënë për Telegrafin drejtoresha e Zyrës për Informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Rroksana Qarri.

Sipas të dhënave nga MPB-ja , në Kosovë janë 2630 motoçikleta me kapacitet 50 kubik dhe mbi 50 kubik me të drejtë qarkullimi.

Telegrafi ka kontaktuar disa auto shkolla në Prishtinë,  përfaqësuesit e të cilave kanë treguar se deri më tani interesimi për të regjistruar kursin për aftësim për patentë shoferë të kategorisë “A” ka qenë minimal, ndërkaq pas hyrjes në fuçi të ligjit të ri për regjistrimin e automjeteve, presin rritje të kërkesave të kandidatëve për t’u pajisur me këtë lloj të patentë shoferit.