Regjisori Qosja e konsideron fitore politike filmin “Shok”

Sikur ta kishte punuar një shqiptar këtë, do të thoshin mos është pak “kliche,” mos është pak bardh e zi, mos është pak “Deja vu”. Nga këndvështrimi i një anglezi është objektive kjo rrethanë, ky përjetim, kështu u shpreh regjisori i mirënjohur kosovar, Isa Qosja, në Zona B, ku e komentoi filmin e “SHOK”.

ShowBiz

29/02/2016 22:33

Profesor Qosja u ndalë edhe tek finesat artistike të filmit – për të fundi i tij prek vlerat më të larta artistike.

“Fundi i filmit kap vlerat e larta, fundi i filmit me një biçikletë është një metaforë e mirë. Shihen shtatë policë serbë të gjithë luajnë njëjtë, të egër ashtu si i njohim ne”.

“Hyrja në pesë filmat konkurrues është një fitore e madhe, kjo është edhe fitore e madhe politike e Kosovës, ka thënë Qosja.

Më tej, regjisori përmendi të mirat që Kosova morri nga ky nominim. Profesori përshkroi përmes filmit një rezistencë të tërë popullore kundër një pushtuesi – një rezistencë jo vetëm me pushkë.

“Këto pesë ditë Kosova ka qenë e klikuar vazhdimisht. Ka qenë mirë që është  paraqitur arti kosovar, jeta, ballafaqimi – të gjitha.”

“Nuk i kam parë filmat tjerë të kësaj kategorie, duhet të kenë gjithsesi kualitet më të lartë artistik”.

“Fundi, ajo çfarë dëshiron të thotë regjisori në fund është e jashtëzakonshme, prandaj filmi ka marrë simpatinë e të gjithëve edhe pse nuk ka fituar – kjo është një fitore.”

“Në mungesë të UÇK-së është paraqitur një strukturë e tërë e njerëzve, një rezistencë dhe gjithkush edhe pse nuk kanë qenë në uniformë.”

“Dëshira për liri nuk mund të luftohet vetëm me pushkë, gjithsesi është luftuar në mënyra të ndryshme, ” ka thënë Qosja, njofton Klan Kosova.

Gjithashtu temë e diskutimit ishin edhe filmat tjerë të nominuar për “Oscars” , ku për profesorin temat e guximshme gjithmonë depërtojnë përpara.

“Shikuar në tërësi Oscari është karakterizuar me tema.  DiCaprio tregon mundimin, luftën për të arritur diçka”.

“Spotlight arrin të thotë diçka që është vështirë të thuhet në kinematografi”, ka përfunduar Qosja.