Refuzohen mbi 10 mijë ankesa

Në takimin për zgjedhjet të mbajtur në Bruksel, nga PZAP është bërë e ditur se nga 16.355 ankesa, 10.419 janë refuzuar. Ndërsa, janë pranuar 5.458 ankesa, e 349 janë hedhur si të parregullta. Mbarëvajtja e procesit zgjedhor është vlerësuar si i mirë.

Lajme

25/10/2013 18:24

Në bisedimet teknike për zgjedhjet, gjatë takimit të mbajtur sot në Bruksel, i cili është zhvilluar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është vlerësuar pozitivisht mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe është konstatuar se palët po i kryejnë mirë obligimet zbatuese që dalin nga marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, gjatë takimit në Bruksel është diskutuar për rrjedhën e fushatës zgjedhore – ku Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka kërkuar angazhim të shtuar të të gjitha palëve, për një fushatë demokratike, në frymën e standardeve ndërkombëtare.

Tahiri, po ashtu, ka kërkuar që të gjitha palët të kontribuojnë për evitimin e dukurive negative, që kanë të bëjnë me kërcënime të kandidatëve dhe punonjësve të KQZ’së, duke konsideruar se zgjedhjet lokale janë në interes të qytetarëve dhe të zgjedhjeve të përfaqësuesve legalë dhe legjitimë të komunave.

Në vazhdim, sipas Zyrës së Kryeministrit, thuhet të jetë raportuar për procesin e ankimimit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

“Kryetari i PZAP, Shukri Sylejmani, ka njofuar se i gjithë procesi i shqyrtimit të ankesave është bërë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe ka përfunduar me sukses.”

“Ai njoftoi palët se nga 16355 ankesa, 10419 janë refuzuar, ndërsa janë pranuar 5458 ankesa, dhe 349 janë hedhur si të parregullta.”

“Ndërkaq u tha se në bazë të ligjeve të Kosovës, palët e refuzuara mund t’i drejtohen edhe instancës më të fundit në këtë proces, respektivisht  Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.”

“Më pas u diskutua për rëndësinë që siguria të jetë në nivelin e duhur gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve, ku në veçanti OSBE njoftoi se janë të angazhuar të tri mekanizmat e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, që në kuadër të misioneve të tyre të ofrojnë siguri maksimale për këtë proces”.

Kryetarja e KQZ, Valdete Daka, e pranishme në këtë takim, ka njoftuar palët për afatet ligjore për votim nga jashtë Kosovës, duke specifikuar që afati i fundit për votim është data 1 nëntor.

“Koordinatori i Grupit, Qemajl Marmullakaj, edhe kësaj radhe insistoi që konkluzionet dhe marrëveshjet e çdo takimi, duhet të reflektojnë në konsekuencë përmbajtjen e diskutimeve, si një kontribut qenësor për dialogun dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes”, thuhet në komunikatë.

Delegacioni i Kosovës përbëhej nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryesuese e delegacionit, Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe kryesuese e grupit , Qemajl Marmullakaj, koordinator i grupit të zgjedhjeve, Shukri Sylejmani, kryetar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Elona Cecelia, këshilltare politike.