Reformat e domosdoshme

Ambasadori i Gjermanisë tha sot se Kosova e ka mbështetjen e BE’së dhe të shteti të tij për integrimet europiane. Ai vuri theksin në reformat që duhet t’i bëjë shteti i Kosovës. Ai tha se konflikti i pazgjidhur me Serbinë mund të jetë pengesë.

Lajme

28/10/2013 14:29

Nisja zyrtare e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është hapi i parë dhe më i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve evropiane.

Kështu u vlerësuar sot në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temë: “Perspektiva e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian: Sfidat dhe rruga përpara”.

Ambasadori i Gjermanisë, Peter Blomeyer tha se është thelbësore që Kosova të ndërmarrë reforma të thella sepse kjo është rruga e vetme drejt integrimeve europiane.

Duke folur  për perspektivën europiane të Kosovës, ai tha se në njërën anë është aspekti formal dhe në anën tjetër është puna që duhet të bëjë shteti i Kosovës, veçanërisht për të luftuar korrupsionin dhe  krimin e organizuar.

“Krimi i organizuar është një problem shumë serioz për Kosovën. Shifrat flasin shumë keq, si në programin e liberalizimit të vizave sepse është faktori më i rëndësishëm për MSA. Është një nevojë imediate që duhet të punohet dhe krimi duhet luftuar me një seriozitet të madh”.

“Ka një numër të faktorësh që e bëjnë Kosovën apo rrugën e Kosovës për në Evropë se sa dikujt tjetër. Një, është konflikti i pazgjidhur me Serbinë, kemi qenë dëshmitar gjatë viteve të fundit të një progresi të madh dhe një marrëveshje historike sa i përket normalizimit, por ky është vetëm një fillim dhe ne duhet të marrim parasysh që qëndrimi i BE’së që nuk dëshiron të importojë konflikt në Kosovë”.

“E shihni edhe me Maqedoninë, mu për shkak të konfliktit që ka me kontekstin për emrin që ka me Greqinë. Pastaj, Qipro që është një shembull që vije me një vërejtje që Evropa nuk dëshiron të bëjë një gabim të tillë, dhe Kosova duhet të bëjë zgjidhjen e këtyre, pastaj që të ketë integrim në BE”.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike paraqiti një raport për perspektivën e Kosovës drejt BE’së. Dren Dolli nga ky grup tha se Kosova ka përpara shumë sfida dhe e pret një rrugë e gjatë dhe e mundimshme drejt anëtarësimit në BE.

“Reformat dhe adresimi i sfidave nga ky proces është e vetmja rrugë me anë të së cilës Kosova mund t’ia dalë”.

“Raporti kërkon që procesi i integrimit europian të shihet si prioritet nacional dhe assesi të mos varet nga vullneti politik apo partiak.”

“Ky proces shpesh është proklamuar dhe është shfrytëzuar gjatë fushatës zgjedhore, kurse reformat që lidhen me këtë proces shpeshherë kanë stagnuar duke na humbur kohë”.

Analisti Agron Bajrami tha fillimi i negociatave për MSA po ndodhë në kohë fushate, gjë që sipas tij zbeh rëndësinë e kësaj ngjarje.

“Sot fillon negocimi për MSA, më lejoni që të them se kjo është një datë fatkeqe meqenëse koincidon me fushatën zgjedhore, sepse gjithçka që flitet gjatë fushatës merret me skepticizëm nga qytetarët.”

“Kështu që premtimi në kohë fushatë për anëtarësim në BE nënkuptohet si një premtim jo i sinqertë. Nëse kjo datë kishte me qenë një javë mbas zgjedhjeve do të ishte në një frymë krejt tjetër”.