Raporti i inteligjencës së NATO-s, i vonuar dhe cinik

Raportet e inteligjencës së NATO-s të cilat po publikohen kohëve të fundit, përmendin emra të skenës politike, të cilët pretendohen se janë pjesëmarrës në krime të ndryshme.

Lajme

27/05/2014 20:58

Raporti i NATO-s, për analistin Halil Matoshi duket i vonuar dhe cinik, pasi që ai mendon se vet strukturat ndërkombëtare i kanë ndihmuar këto struktura kosovare që të ngrihen në pushtet.

“Paligjësia në Kosovë ka zgjatur mjaft shumë dhe vet strukturat ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-u dhe NATO kanë koketuar fillimisht me këto struktura për të ruajtur stabilitetin e brendshëm të Kosovës dhe për t’i pasur në njëfarë mënyre nën kontrollin e tyre. Tashmë raportet e intelegjencës së NATO-s duken pak a shumë të vonshme dhe cinike, kur ata vet e kanë mbështetur këtë strukturë edhe në politikën e Kosovës, dhe në një farë mënyre i kanë ndihmuar kësaj strukture të vijë në majat e pushtetit politik”, tha ai për KTV.

Analisti, Imer Mushkolaj thotë se gjëja më e keqe është se pikërisht personat e përmendur në këto raporte sot po kërkojnë votën e qytetarëve.

“Kemi të bëjmë me dokumente të NATO-s dhe nuk kemi të bëjmë me dokumenteve të tipit të dosjeve që vet PDK dhe SHIK-u i publikonin për kundërshtarët e tyre politikë para ca vjetësh. Më e keqja është se tash pikërisht këta zyrtarë të lartë të PDK-së dhe zyrtarë të tjerë, të cilët janë të përmendur në këto dokumente, ne na e kërkojnë votën, ndërkohë që ne dhe e ardhmja jonë mbetet peng pikërisht për shkak të këtyre krimeve të pa zbardhura, të këtyre pretendimeve të krimeve që janë kryer në të kaluarën”.

Mushkolaj thotë se këto raporte dëshmojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur nga këta njerëz.

“Tërë kohën flasim për sistem gjyqësie e prokurorie të pavarur, ndërkohë që shohim se drejtësia është e kapur pikërisht nga këta njerëz që qoftë vet janë të përfshirë apo dhe njerëzit e tyre i kanë të përlyera duart me gjëra të këqija”, tha Mushkolaj për KTV-në.