Raportet Serbi – NATO ngrihen në nivel më të lartë

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq paralajmëroi sot se më 18 mars bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq do të qëndrojë në selinë e NATO-s në Bruksel.

Lajme

01/03/2015 16:02

Sipas fjalëve të tij, ky qëndrim në Bruksel lidhet me marrëveshjen për Planin aksionar individual të partneritetit të Serbisë me paktin e Aleancës veri-atlantike.

“Ky dokument është miratuar nga qeveria serbe më 20 dhjetor 2014, ndërsa nga ana e NATO-s ai është miratuar më 15 janar të këtij viti dhe në këtë mënyrë procedura e miratimit është kaluar. Me vetë aktin e miratimit dypalësh, raportet ngrihen në nivel më të lartë, dhe ky është niveli më i lartë që mund ta ketë një vend i cili nuk dëshiron të bëhet anëtar i NATO-s”, tha Daçiq në konferencë me gazetarë të dielën, transmeton lajmi.net.

Sipas fjalëve të tij, ai dhe ministri Gashiq do të takohen në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Aleancës veri-atlantike.