Rakic kërcënon drejtoreshën e HABITAT-it

Drejtoresha e HABITAT-it, Milena Djeric është kërcënuar nga kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic, për shkak të planit të saj rreth lirimit të banesave dhe pronave të uzurpuara të shqiptarëve.

Lajme

26/03/2014 12:51

Djelic kishte planifikuar ditë më parë një aksion për lirimin e rreth 300 banesave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës, të cilat po mbahen akoma të uzurpuara nga serbët.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se në lidhje me këtë, ajo kishte dërguar një kërkesë zyrtare në Stacionin e Policisë së Kosovës në veri, me ç’rast ka kërkuar asistencë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, kryetari i Mitrovicës së Veriut,  Rakic, pasi është njoftuar me situatën më të re rreth dëbimit të serbëve nga pronat e shqiptarëve në atë pjesë të qytetit, ka ftuar një takim urgjent i cili është mbajtur të martën në ora 10:00 në selinë e të ashtuquajturës ‘Qarku Rajonal i Mitrovicës’, që ndodhet në Lagjen e boshnjakëve në veri.

Mësohet se në këtë takim kryetari Rakic ka kërcënuar drejtoreshën e HABITAT-it për aksionin e paraparë rreth dëbimit të serbëve nga banesat dhe pronat e shqiptarëve.

“Përveç kryetarit Goran Rakic, të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe një përfaqësues i policisë së Kosovës nga Stacioni Veri, drejtoresha e HABITAT-it për veriun, Milena Djeric, si dhe i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Vaso Jelic.

“A je normale dhe a je e vetëdijshme për pasojat që mund t’i kesh. Një gjë e tillë nuk guxon assesi të realizohet. Ku po jeton ti?”, janë vetëm disa nga kërcënimet që kryetari Rakic i ka drejtuar në adresë të drejtoreshës së HABITAT-it, e cila sipas burimeve të Kosovapress-it, është detyruar të heq dorë nga ekzekutimi i planit të paraparë.

Në anën tjetër, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, ka bërë të ditur për Kosovapress se posedon shifra të sakta për numrin e shqiptarëve të shpërngulur nga pjesa e veriore e Mitrovicës dhe pronat e tyre që tashmë janë të uzurpuara në atë pjesë.

Sipas tij, shqiptarët e dëbuar nga veriu i Mitrovicës janë detyruar t’i shesin pronat e tyre, që shpeshherë janë blerë nga pronarë prapa të cilëve qëndron Serbia, ndërkaq numri i pronave të mbetura të shqiptarëve është rreth 1 mijë e 400, të cilat vazhdojnë të mbahen të uzurpuara nga serbët.