Raison d’Etat i Kosovës

Ideja e ndryshimit të Kosovës, nuk mund të jetë e sukseshme nëse ajo qyshdoqoftë e vë në pikëpyetje këtë shoqëri dhe këtë shtet.

Opinion

25/02/2016 15:26

Çka mund të definohet si sjellje e arsyeshme në një familje, në një shoqëri, në një politikë dhe në një shtet?

Cila është ‘njësia matëse’ e kësaj sjelljeje? Kërkimi i zgjidhjeve më të lehta, më të dobishme, më të qëndrueshme? Shmangia e atyre (solucioneve) që kërcënojnë të dëmtojnë seriozisht një familje, një vend dhe një shtet? Evitimi i situatave të cilat madje rrezikojnë vetë ekzistencën e një organizimi shoqëror? Ruajtja, me çdo kusht, e një sigurie themelore për të gjithë qytetarët e një shteti? Mbajtja në fuqi e qëndrueshmërisë së një vendi?

Janë këto pyetje të cilat në teori së paku, i kanë përgjigjet e njohura dhe të duhura për të gjithë ne. Të thuash, janë pyetje retorike.

Nuk ka kush prej nesh që nuk është detyruar në të kaluarën të përballet me situata të rënda, të cilat imponojnë domosdoshmërinë e përllogaritjeve që nisin dhe sosin me një fjali të shkëlqyeshme angleze, e cila na thotë: Kur gjithçka të duket keq, është shumë mirë ta dish se cila prej zgjedhjeve është më e keqja. Çdo zgjedhje tjetër, në atë rast, del që është e pranueshme dhe e dobishme.

Nëse nga ky pikëvështrim i venerojmë ngjarjet aktuale në politikën kosovare, duket që nuk është vështirë të mbërrihet tek konkludimi që varianti më i keq i mundshëm, për ne si shoqëri dhe si shtet është nëse tutje vazhdohet me teorinë dhe praktikën e përplasjes totale politike. Kjo përplasje, nuk ka gjasa të shërbejë si këndellje politike, madje, si një shkundje politike  (e cila aq shumë na duhet), por ajo ia ka mësyer të merr trajtën e një termeti të madh politik, i cili, njëlloj si termeti natyror, do të jetë një tronditje kolektive, e cila do të lë pasoja shumëvjeçare në Kosovë.

Të gjitha dëmet e një fatkeqësia natyrore, çfarë është termeti, mund të përkthehen lehtë në terminologjinë politike në Kosovë. Nuk dihet, as që mund të dihet, zatën, si në atë termetin natyror, kush do të dëmtohet krejt, cilat do të jenë përmasat e tragjedisë, çfarë do të jenë pasojat e një kobi të kësisojt. Veç mund të supozohet që faturën e tij do ta paguajmë të gjithë ne, si qytetarë të Kosovës, ndërsa shteti i Kosovës, ky shteti i jonë, do të ketë çarje të mëdha në konstruksionin e tij edhe ashtu të pastabilizuar si duhet.

Ky krahasimi midis termetit natyror dhe atij politik, megjithatë, na sjell te një përfundim paradoksal. Ajo goditja e natyrës, sot e kësaj dite, edhe tek shtetet më të zhvilluara në Botë, nuk mund dot të parashikohet. Kjo goditja e jonë politike, jo vetëm që është e parashikueshme, por për te i dimë thuaja të gjitha detalet. E dimë çka na pret, nëse nuk e ndalim atë. Së bashku, natyrisht. Çka na duhet është që të jemi pak më të arsyeshëm. Të gjithë. Që t’i lëmë menjanë instiktet themelore, emocionet e tepruara, hipokrizinë që ka marrë forma të papara në këtë vend, inatet e shumëllojshme, dhe që të shohim se cili është në fakt raison d’etat i Kosovës, në këtë dimrin e rrezikshëm të vitit 2016.

Opsioni i ngadhnjmit të plotë dhe i kapitulimit apo i dorëzimit politik, duhet urgjentisht të braktistet, për t’i çelë udhë asaj të Marrëveshjes politike. Urrejtja dhe mosdurimi politik të cilat kanë mbërritë në vlerat më të larta që prej se dimë për vete si popull politik, duhet të zëvëndësohen me një tolerancë për njeri-tjetrin, dhe me një gatishmëri për të biseduar për të gjitha temat e mundshme. Nuk ka dhe nuk mund të ketë çështje a problem për të cilin nuk mund të flitet në politikë. Pos për atë që është në themelet e raison d’etat. Pra, për vetë ekzistencën e shtetit dhe për veprimet të cilat pikërisht mund ta mëdyshin arsyen e ekzistencës së një shteti.

Vështirë është të gjesh ndër ne në Kosovë dikë që nuk mendon që këtij vendi i duhet një ndryshim thelbësor, për të mirë, natyrisht, në politikë, në ekonomi, në temat sociale, kudo në fakt. Por natyra e mirëfilltë e një shoqërie të organizuar demokratike, del në shesh pikërisht në këto situara, kur ndryshimi i pashmangshëm bëhet me mekanizmat ekzistues politik, ligjor, shoqëror, duke iu shmangur tronditjeve të mëdha që lëvizin ‘trollin politik’ të këtij vendi.

Ideja e ndryshimit të Kosovës si shoqëri dhe si shtet, nuk mund të jetë e sukseshme nëse ajo qyshdoqoftë e vë në pikëpyetje këtë shoqëri dhe këtë shtet, nëse nuk përfill fare mekanizmat e ndërtuara tash e gjashtëmbëdhjetë vjet në Kosovë, nëse nuk provon, gjë që është parakusht për një epilog të duhur, të jetë gjithpërfshirëse.

Kompromitimi i idesë së ndryshimit të Kosovës është i baravlershëm me koruptimin e të ardhmes politike të këtij vendi.

(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)