Qeveria ngec në zbatimin e  Agjendës për Reforma Evropiane

Qeveria e Kosovës ka dështuar në realizmin e masave  për vitin 2018, që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA).

Lajme

03/08/2018 15:25

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), institucionet e Kosovës, kanë realizuar  plotësisht vetëm 42.99% të masave.

“Në total plani i veprimit të zbatimit të ERA-s për vitin 2018 perfshin 29 masa të përgjithshme të cilat zbërthehen në 107 veprime konkrete, prej te cilave për këtë periudhë vetëm 42.99% janë përmbushur plotësisht, 17.76% janë përmbushur pjesërisht, dhe 14.02% nuk janë përmbushur fare, ndërsa 25.23% pritet të përpunohen gjatë periudhës korrik-dhjetor 2018”, thuhet në raportin e publikuar nga këto tri organizata.

Në fushën e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit disa nga veprimet të cilat kanë ngecje dhe mbesin ende në proces janë: miratimi i legjislacionit për pezullimin e zyrtarëve publik në raste korrupsioni, miratimi i ligjit për gjyqtarë dhe prokurorë, miratimi i pakos ligjore për reformën e administratës publike dhe pakos ligjore për reformën zgjedhore, ndër të tjera.

Në fushën e konkurrueshmërisë dhe klimës së investimeve disa nga objektivat që kanë progres, por nuk janë përmbushur janë ristrukturimi i KIESA-s, miratimi i ligjit për efiçiencë të energjisë si dhe krijimit të fondit gjegjës si dhe zbatimi i masave të buta në kuadër të agjendës së inter-konvektivitetit për shkak të mos-zbatimit të marrëveshjeve nga të gjitha palët nënshkruese.

Ndërsa, në  fushën e punësimit dhe arsimit disa nga ngecjet e objektivave në këtë fushë ndërlidhen me miratimi i rregulloreve të punës për Agjencinë e Punësimit, ndarja e buxhetit të duhur për implementimin e Planit Strategjik për Arsim, themelimi i Agjencisë për Kurrikulë, Standarde dhe Vlerësim, dhe hartimi i kurrikulave bërthamë për Arsimin dhe Aftësimin Profesional./Lajmi.net/