Qeveria Mustafa miraton buxhetin 2015, s’ka rritje të pagave

Është miratuar projektligji për buxhetin për vitin 2015 nga Qeveria e Kosovës, e vlera e të cilit është 1 miliard e 576 milionë euro. Ai do të procedohet në Kuvend, dhe nuk përfshinë rritje të pagave prej 25 për qind siç ishte paraparë nga qeverisja e kaluar.

Lajme

15/12/2014 13:03

Në buxhetin vitit të ardhshëm vetëm do të përfshihet rritja e pagave e cila ka ndodhur në fillim të vitit që po e lëmë pas.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se rritja e pagave prej 25 për qind e cila ka ndodh gjatë vitit 2014, në vitin e ardhshëm do të jetë një rritje e buxhetit pasi ajo nuk do të destinohet për të njëjtin qëllim.

“Tek shpenzimet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve ka një rritje të konsiderueshme e cila reflekton rritjen prej 25 për qind të pagave që kanë ndodh nga muaji maj i këtij viti, pra që futet komplet rritja e plotë gjatë gjithë vitit fiskal në vitin 2015”, ka thënë ai.

Hoti ka shtuar se për dallim nga viti 2014, në vitin e ardhshëm do të ketë rritje të të hyrave të cilat vijnë kryesisht nga luftimi i ekonomisë joformale, si dhe nga grumbullimi i tatimit të brendshëm.

“Në kuadër të të hyrave totale, të hyrat nga tatimet e brendshme dhe doganore pritet të rriten me rreth 7 për qind, siç janë paraparë me këtë projekt buxhet, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme pritet të rriten me 17 për qind. Kjo vjen si reflektim i kursimit të rolit të Administratës Tatimore edhe lëvizjes graduale të kursimit të ekonomisë vendore dhe mbledhjes s taksave brenda vendit e jo në kufi si dhe luftimit të ekonomisë joformale dhe masave të tjera kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare dhe janë disa të hyra të njëhershme të cilat pritet të mblidhen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe nga Trusti i Kursimeve Pensionale prej 37 milion euro që janë kryesisht interesa për pagesat e vonuara të firmave private të Trustit Pensional”, ka deklaruar ai.

Kurse, kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se në projektligjin e këtij buxheti ekziston një shpërputhje në mes të të hyrave dhe të dalave por e cila mund të përmirësohet më vonë përmes komisioneve parlamentare gjë e cila sipas tij është e lejuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Buxheti është paraparë që të jetë për këtë vit në pozicionin e të hyrave buxhetore 1 miliard e 576 milionë, në pozicionin e shpenzimeve përkatësisht të dalave buxhetore 1 miliard e 682 milionë, tek të hyra planifikohet të kemi të hyra 8,1 për qind më të larta nga viti 2014, tek të falurat kemi 6 për qind më shumë se sa në vitin 2014 dhe po ashtu është një mospërputhje në mes të hyrave dhe të dalave që parashihet të plotësohet nga të hyra tjera jofiskale që është në harmoni me marrëveshjet që janë bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar s ai përket deficitit buxhetor”, ka theksuar ai.

Kryeministri Mustafa tha se ky projektligj edhe pse ishte dorëzuar me herët në Kuvend, është kthyer në Qeveri në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet procedurale dhe ligjore për shkak se Kuvendi ka qenë i pakonstituuar.

Ai tha se nuk ka mundësi që të bëhen ndryshime para leximit të parë të këtij projektligji por ka shtuar se këto ndryshime mund të bëhen ndërmjet leximit të parë dhe të dytë përmes komisioneve dhe amendamenteve në ligjin për buxhetin.