Qeveria: Asnjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë

Asnjë përparim nuk është shënuar në zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

17/07/2018 17:21

Kështu thuhet në raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit që Qeveria ua ka dërguar deputetëve, ku flitet edhe për marrëveshjen për energji dhe problemet në zbatimin e saj.

“Asnjë përparim nuk është shënuar në zbatimin e marrëveshjeve për Energjinë dhe Marrëveshjes për Kyçje KOSTT-ENTSO-E”, tuhet në këtë raport që e ka siguruar KALLXO.com

Tutje thuhet që Serbia ka parashtruar katër kërkesa për regjistrimin e kompanisë “Elektroserver’ (furnizues i energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës), e cila nuk ishte në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës. Më pas aplikacionet janë refuzuar nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve për shkak të mospërputhjes me kornizën ligjore të Kosovës.

Si rrjedhojë, raporti thotë që Marrëveshja për Kyçje KOSTT-ENTSO-E nuk ka hyrë në fuqi për shkak të kushteve të padrejta për regjistrimin dhe licencimin e kompanisë “Elektroserver”.

“KOSTT po pëson humbje të konsiderueshme financiare për shhkak të mos hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Kyçje”, thotë raporti i Qeverisë.

Në sfidat dhe pengesat në zbatimin e Marrëveshjeve për Energji dhe Marrëveshjes për Kyçje KOSTT/ENTSO-E, thuhet se mos zbatimi po i pengon kësaj ndërmarrje në përmbushje ne detyrimeve sipas Ligjit për Energji dhe Licenca; në përmbushjen e detyrimeve sipas Direktivës së KE dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe në përmbushjen e objektivave për të siguruar cilësi të shërbimeve për pjesëmarrësit e tregut, qasje transparente dhe jo diskriminuese të palëve të treta; shfrytëzimin e linjës së re të interkonenskionit 400 kV ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që nga qershori i 2016-ës.