Qëndrimi i Rusisë varet nga Serbia

Ambasadori i Rusisë në Beograd thotë se Rusia mund t’i stopojë pengesat në ndërkombëtarizimin e Kosovës, vetëm në rast se për një gjë të tillë pajtohet Beogradi.

Lajme

11/11/2013 12:42

Qëndrimi i Rusisë ndaj Pavarësisë së Kosovës mund të ndryshojë pasi Beogradi të ketë bërë një kërkesë të tillë.

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Chepurin, ka thënë për mediat serbe se shteti i tij do të heqë dorë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB, në rast se merr pëlqimin e kreut shtetëror serb.

“Derisa pozicioni i Serbisë është i patundur, pozicioni ynë, po ashtu, nuk do të ndryshojë”.

“Ne i respektojmë saktësisht marrëveshjet tona me Serbinë dhe do ta pengojmë çfarëdo përpjekje që Kosova të bëhet vend anëtar i Kombeve të Bashkuara”.

“Por, nëse Serbia, Beogradi, thonë ‘ta njihni’, kjo do të ishte situatë tjetër”, ka thënë Alexander Chepurin, duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me atë se nëse është e mundshme ose jo që anëtarësimi i Kosovës në OKB të mbështetet nga Rusia, e cila është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB’së.