Punëtorët e sektorit privat i mbron veç Zoti

Nënkryetari i BSPK’së, Avni Ajdini thotë se shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të punëtorëve janë sektori privat. Duke mos pasur organizim të mirëfilltë të sindikatave në këtë sektor, Ajdini thotë se ata i mbron “veç Zoti”.

Lajme

19/03/2014 09:15

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini thotë se shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të punëtorëve janë sektori privat.

“Sektori privat është shkelës drastik i të drejtave të punëtorëve. Me keqardhje e them këtë, sepse punëtori në këtë sektor për momentin është skllav i kohës kur zezakët nuk kanë pasur të drejtë të hipin as në autobusin ku udhëtonin të bardhët. Nëse punëtori në ekonominë informate ankohet, ai do të largohet nga puna menjëherë”.

Në një intervistë dhënë për të përditshme “Tribuna”, Ajdini thotë se mos përfaqësimi i punëtorëve të sektorit privat nëpër sindikata është njëherësh edhe dështimi për të mbrojtur të drejtat e tyre.

“Dështimi më i madh i punëtorëve është aty, tek mos përfaqësimi në sindikatë të sektorit privat. Nëse nuk ekziston celula bazë, punëtorët nuk kanë ku të ankohen.

“Vetë punëtorët duhet të ndërmarrin një hap të tillë për themelimin e sindikatës”.

“Është një anarki totale. Veç Zoti”, u shpreh Avni Ajdini në pyetjen se kush i mbron punëtorët se sektorit privat.