Pse Vetëvendosjes po i “djegë” kaq shumë kënga e “Minatorit”? (Video)

Kënga e re rok grupit kosovar “Minatori” ka ngjallur pakënaqësi tek Lëvizja Vetëvendosje e cila udhëheqë që katër vite më Prishtinën.

Lajme

06/10/2017 14:19

Pas shumë kohësh pauzë, rok grupi kosovar “Minatori” është kthyer me këngën “Krejt njëjtë”, e cila është protestë kundër degradimit të kryeqytetit prej të gjithë akterëve politikë që e kanë udhëheqë deri më tash.

“Prishtinë e bukur në pranverë, ty edhe erën e blirit ta vjedhën, ta zhdukën për një tender”, nis refreni i këngës. Por, Lëvizjes Vetëvendosje e cila udhëheqë me Prishtinën nuk po i pëlqen teksti e as spoti i këngës, në të cilën kohë pas kohë shihet një qenë endacak në mes të sheshit dhe vinça të mëdhenj duke rrënuar kujtesën e Prishtinës me rrokaqiej të mëdhenj, shkruan lajmi.net.

Me t’u lansuar kënga, ka reaguar edhe zyrtari për informim në Lëvizjen Vetëvendosje, Shkodran Hoti.

“Rok grupi “Minatori” pas 10 viteve e paska publikuar një këngë të titulluar “Krejt njëjtë”, përmes të cilës kinse po kritikohen politkanët dhe degradimi i vendit, në veçanti kryeqytetit. Kritika për “xheparoshët”, “jebaqat” e “zhgjyrçat” bëhet duke tentuar që publikut t’i bëhet me dije se gjithë politikanët qenka njëjtë dhe krejt paskan faj për realitetin e hidhur që e jetojmë, gjë që është e pavërtetë”, ka shkruar Hoti në facebook.

“Madje “krejt (janë) njëjtë” është ajo që pushteti dëshiron që t’i thuhet. Sepse pushteti e di që është e pamundur të bindet dikush që ata nuk janë përgjegjës për degradimin e gjithçkajes. Më lehtë është që ata ta pranojnë fajin, por duke e ndarë atë, e gjithsesi duke përlyer edhe ata që s’janë si ta. Me qëllimin që askush të mos mbetet i pastër”, ka shkruar tutje ai.

Ka reaguar edhe Zyrtari për informim në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri.

“Drejtori dhe zv.drejtori i RTK-së, fushatë të hapur kundër nesh në Prishtinë. Kjo është dëshmi e radhës për kapjen e RTK-së, dhe dëshpërim i radhës i tyre që s’kanë ku na kapën neve. Kësaj here në Prishtinë pa ballotazh. Pas 22 tetorit, qytetarët tanë do ta kenë Prishtinën, qytet në çdo lagje. E Mufaili dhe Mentori, tupanin e shkyç”, ka shkruar Tahiri.

Krejt ndryshe nga dy të rinjtë e Vetëvendosjes e ka parë këngën e “Minatorit”, njëri ndër themeluesit e Vetëvendosjes në Prishtinë, Sadri Ramabaja. “Rikthimi i “Minatorit” me këtë këngë e tekst të veçantë, flet më shumë se një traktat politik”, ka shkruar ai në rrjetin social duke e publikuar në tersi tekstin e këngës./Lajmi.net/

Më poshtë mund të gjeni këngën:

YouTube player