Pse Policia e Kosovës ende nuk ka helikopter?

Pothuajse janë bërë 9 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe institucionet e shtetit  nuk kanë arritur që ta pajisin Policinë e Kosovës me helikopterë dhe mjete tjera të rënda.

Lajme

17/01/2017 19:12

Edhe pse është kërkuar në vazhdimësi që Policia të pajiset me helikopterë, as në buxhetin e këtij viti nuk është futur linja buxhetore për ta blerë një të tillë.

Kërkesë për ndarjen e buxhetit për t’u pajisur me helikopter e kishte bërë deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu e cila është edhe anëtare e Komisionit për Siguri dhe Punë të Brendshme.

“Në Komisionin Parlamentar kemi diskutuar në përgjithësi për nevojat e pajisjeve adekuate si në polici ashtu edhe në FSK. Ndërsa unë personalisht duke ditur se policia ka të drejtë dhe kapacitete për pajisjen me helikopter më datën 24 tetot 2016, i kam bërë pyetje parlamentare ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni se kur do të pajiset policia me helikopter. Fatkeqësisht nuk kam marrë përgjigje”, ka thënë Musliu për lajmi.net.

Arsyeja pse Musliu e ka bërë këtë pyetje në tetor ka qenë që t’i paraprijë shqyrtimit të buxhetit për vitin 2017.

“Kurdo që do të vijë një propozim për ndarjen e buxhetit për helikopter për Policinë e Kosovës unë dhe anëtarët e tjerë të komisionit do t’i japim mbështetje”, ka theksuar Musliu.

Një helikopter mesatar për Policinë aktualisht në treg sillet nga 8 deri në 20 milionë euro. Sigurisht se këto mjete buxheti i Kosovës i ka pasur edhe para 10 vjetësh, i ka edhe tash.

Po sikur të kishte Policia e Kosovës helikopter, ndërhyrja në secilën pjesë të vendit do të ishte për pak minuta, e jo tash që duhen orë të tëra.

Rasti i fundit që Policisë do t’i shërbente shumë helikopteri, ishte incidenti me trenin serb që tentoi të hynte në Kosovë. /Lajmi.net/