Protesta e sotme, goditje vendimtare për Gruevskin?

Një miting i madh qytetar pritet të mbahet sot në Shkup, para Qeverisë së Maqedonisë, me kërkesë për dorëheqje të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kabinetit të tij.

Lajme

17/05/2015 08:19

Paralajmërimet janë se do të jetë kjo protesta më e madhe deri tani e mbajtur në Maqedoni. Ajo është një lloj kulmi i protestave të përditshme që shpërthyen në Shkup dhe qytete të tjera, që nga fillimi i publikimit të të ashtuquajturave “bomba” –telefonatave të përgjuara që zbulojnë afera të shumta korruptive dhe veprime jodemokratike të Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij partiakë e qeveritarë.

Organizator kryesor i protestës është partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, me në krye liderin Zoran Zaev, por atë e kanë përkrahur edhe shumë organizata qytetare, ndër të cilët edhe Plenumi i Studentëve, i cili ka mobilizuar pjesën më të madhe të popullatës studentore.

Megjithë opstruksionet dhe presionet e shumta mbi qytetarët nga ana e partisë në pushtet VMRO-DPMNE, në Shkup pritet sot të grumbullohen dhjetëra mijëra njerëz nga të gjitha anët e Maqedonisë. /KosovaPress/