Prokuroria Speciale nuk ka marrë asnjë raport nga Serbia për vrasjen e Ivanoviqit

Ministria serbe e Drejtësisë, Nella Kuburoviq, ka thënë se sot i kanë dorëzuar Kosovës raportet e intervistimeve të personave që dyshohet se lidhen me vrasjen e ish-liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Lajme

09/01/2019 13:29

Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nella Kuburoviq, ka thënë se shteti i saj sot i ka dorëzuar Kosovës raportet e intervistimeve të personave që dyshohet se lidhen me vrasjen e ish-liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Mirëpo prokurori special Sylë Hoxha, ka thënë për lajmi.net, se akoma nuk kanë pranuar asnjë dokument apo raport nga Serbia në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Sipas Hoxhës, Serbia këtë raport mund ta dërgoj përmes Zyrës së Bashkimit Evropian, pasi që sipas tij, Serbia nuk e njeh Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës.

“Nuk kanë mbërri akoma te unë. Ajo mund t’i ketë dërguar por është një rrugë deri sa të vijnë te ne. Ata i dërgojnë përmes zyrës së BE-së, se Ministrinë e Drejtësisë s’e bëjnë hesap, por përmes zyrës së BE-së i çojnë apo se si nuk e di, por te unë nuk kanë mbërri ende”, ka thënë Hoxha për lajmi.net.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq ishte vrarë në hyrje të zyrës së partisë së tij më 16 janar të vitit të kaluar. /Lajmi.net/