Prokuroria i merr në pyetje të dyshuarit serb për terrorizëm në Malin e Zi
Në Prokurorinë Speciale ka filluar marrja në pyetje e personave nga Serbia të arrestuar në territorin e Malit të Zi.
Lajme
Më herët, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanoviq, ka konfirmuar arrestimin e 20 personave nga Serbia, ndërkohë që për një tjetër policia është në kërkim me dyshimin se “në territorin e Malit të Zi kanë kryer vepër penale të krijimit të organizatës kriminale” dhe vepër penale të “terrorizmit”.
“Është e saktë se pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë, gjatë natës së kaluar, në bashkëpunim me Agjencinë për sigurinë kombëtare dhe në koordinim dhe urdhër të Prokurorisë Speciale shtetërore, duke vepruar në përputhje me shënimet operative dhe të intelegjencës të cilat i ka poseduar policia, kanë arrestuar 20 persona, shtetas të Republikës së Serbisë, ndërkohë që një person tjetër, gjithashtu shtetas i Republikës së Serbisë, është në kërkim”, thuhet në një kumtesë të policisë.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se “ata, siç dyshohet, kanë hyrë në Mal të Zi dhe kanë pasur për qëllim që fillimisht të marrin pushkë automatike dhe pastaj që sonte të kryejnë sulme në institucionet e shtetit, policinë dhe pjesëtarët e organeve shtetërore, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e lartë shtetërorë”.
“Drejtoria e policisë në lidhje me këtë zhvillim, në përputhje me procedurën, i ka dorëzuar prokurorisë informatën e planifikuar për opinion”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë së Policisë. /REL