Profesor pa diplomë, ky është nipi i Kryetarit

Komuna e Rahovecit është duke u kritikuar për nepotizëm, pasi që Neki Sylejmani, i cili është nip i Kryetarit, Idriz Vehapi dhe njëherësh është vëlla i Drejtorit të Financave të kësaj Komune, është pranuar në punë si profesor, pa diplomë.

Lajme

14/03/2014 20:38

Punon si profesor i informatikës, është pranuar në punë pa konkurs. Është pa diplomë.

Ky është profesori nga Rahoveci, Neki Sylejmani, i cili paradite jep mësim në shkollën fillore të fshatit Potaçan i Ulët, kurse pasdite në Shkollën e Mesme të Rahovecit “Xhelal Hajda-Tomi”.

Neki Sylejmani, duke folur për Klan Kosova, i ka pranuar të gjitha këto fakte.

Ai njëherësh është edhe nip i Kryetarit të Komunës, Idriz Vehapi dhe po ashtu është vëlla i Drejtorit të Financave të kësaj Komune, Lulzim Sylejmani.

Por, ai nuk pranon se “familjarizmi” ia ka mundësuar që ai të ushtrojë profesionin e profesorit të informatikës.

“Për momentin jam absolvent i Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prizrenit, drejtimi Teknologji informatike dhe komunikim. Nuk kam diplomë akoma”

“Drejtori i Financave (Lulzim Sylejmani, vëllai i tij)  ka dëgjuar atë ditë kur jam kam qitë një kafe kur kam filluar punën”, ka thënë Sylejani, për Klan Kosova.

Për faktin se Neki Sylejmani është pranuar pa konkurs në shkollë është i vetëdijshëm edhe Drejtori i Arsimit, Behar Ramadani.

Ai tha për Klan Kosova se pranimi i Sylejmanit në shkollën e mesme ka ndodhur pa e ditur se është nip i Idriz Vehapit dhe vëllai i Drejtorit të Financave.