Problemet e Shpendit me infrastrukturën në Prishtinë

Hysen Durmishi thotë se gjatë qeverisjes së kaluar janë kryer ndërtime pa projekte dhe kanë filluar punimet pa shpronësime. Sipas tij, në Drejtorinë e Infrastrukturës mungojnë të dhëna edhe për disa projekte. Borxhi për shpronësime arrin në 10 milionë euro.

Lajme

04/02/2014 15:11

Kryerja e ndërtimeve pa projekte, fillimi i punëve ndërtimore pa u bërë shpronësimet dhe mungesa e të dhënave për disa projekte të përfunduara, janë disa nga të gjeturat në raportin e nxjerrë nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës për drejtorinë e Infrastrukturës gjatë qeverisjes së kaluar.

Në një konferencë për media, Ushtruesi i Detyrës së kësaj drejtorie, Hysen Durmishi, i cili e ka përpiluar raportin ka thënë se sektori i shërbimeve të përbashkëta dhe ai i përgatitjes së dokumentacionit teknik janë jashtë funksionit, ndërsa ajo e menaxhimit të punëve ndërtimore është në gjendje më të mirë.

“Dy të para duket se nuk funksionojnë. Funksionon sektori i menaxhimit të punëve ndërtimore, e cila e ka edhe shefin e sektorit dhe inxhinierët, të cilët bëjnë mbikëqyrjen e realizimit të projekteve. Kurse dy sektorët e parë, nuk kanë as shef të sektorit dhe nuk janë të organizuar mirë”.

“Problemet kryesore që ne i kemi konkluduar në drejtorinë e infrastrukturës lokale janë, kryerja e ndërtimeve pa projekte vetëm me para masa dhe parallogari. Vetëm gjatë vitit 2013, janë 17 kontrata të cilët janë lidhur në mes Komunës dhe kontraktorëve të ndryshëm pa projekte, por vetëm me paramasa dhe llogari”.

“Ne nuk kemi projekte në arkiv për rrugë kanalizime trotuare që janë realizuar në territorin e Komunës sonë. Kanë filluar punimet ndërtimore pa përfunduar shpronësimet. Ne nga pushteti i kaluar kemi trashëguar vendimet për shpronësim që kapin vlerën diku prej 10 milion euro që nga viti 2004 e deri më sot, që nuk janë ekzekutuar. Ky është borxh që Komuna iu ka pronarëve që u janë shpronësuar pronat”.

“Në drejtorinë tonë mungojnë të dhënat për disa projekte të që kanë përfunduar nuk dihet kur është bërë pranimi teknik. Arkiva në bodrumin e Komunës  është një arkiv shumë e vlefshme e të gjitha investimeve që janë bërë në Prishtinë që nga vitet e 60`ta ajo është e ruajtur relativisht mirë por në hapësirat ku ajo ndodhet ajo në gjendja është e mjerueshme”.

“Investimet janë bërë pa kurrfarë planifikimesh por vetëm për interesat të ngushta. Prioritetet nuk kanë qenë në harmoni me ndonjë vizion për zhvillimin e qytetit dhe nuk kanë qenë në harmoni me planet rregullative dhe urbane të Komunës”.

Sipas Durmishit, mungesa e bashkëpunimit në mes të drejtorive ka shkaktuar shumë probleme dhe situata të pazgjidhura.

“Në drejtorinë tonë mungojnë të dhënat për disa projekte të që kanë përfunduar nuk dihet kur është bërë pranimi teknik dhe mungon raporti përfundimtar i këtij pranimi teknik”.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, iu është përgjigjur deklaratave të mëhershme të zyrtarëve të LDK`së lidhur me të gjeturat në Drejtorinë e Financave.

“Dëgjova edhe atë ditë që pas konferencës ka pasur reagime pa dashur të merrem me to vetëm dua të potencoj dy gjëra. Për të gjitha këto që i themi në konferencë për shtyp dhe të gjitha që i konstatojmë edhe në komunikatën për shtyp ne i kemi të bazuara  në fakte”.

“Kush do që të vërtetojë gjendjen faktike në bazë të deklarimeve që i bëjmë sot këtu jemi gati t`i mbështesim me dokumentacion por edhe të ballafaqohemi me debate publike. Qëllimi i këtyre konstatimeve nuk është që të anatemohet e kaluara por të bëhet një prerje e gjendjes, të cilën e kemi gjetur”, tha Ahmeti.