Prioritet duhet të jetë ekonomia

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova ka një stabilitet buxhetor. Por, thotë se rritja e papunësisë dhe e varfërisë si dhe rënia e investimeve janë ana e errët e medaljes. Kërkon që prioritet për Qeverinë të jetë ekonomia.

Lajme

19/02/2014 09:32

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se për këto 6 vjet shtet, Kosova ka arritur një stabilitet buxhetor dhe është bërë një përgatitje sa i përket legjislacionit.

“Shumëkush e ka menduar se Shpallja e Pavarësisë do të jetë një shkop magjik që t’i zgjidh problemet e shoqërisë sonë”.

“Por nëse i analizojmë faktorët në Kosovë, me të vërtetë kemi më shumë arsye që të jemi të brengosur. Përkundër kësaj edhe pse ka qenë një rrugëtim 6 vjeçar i cili ka pasur sfidat e veta, por në përgjithësi është arritur diçka sa i përket përgatitje së legjislacionit”.

“Në procesin ekonomik është arritur një stabilitet buxhetor sa i përket buxhetit të konsoliduar të institucioneve të Kosovës deh mbi ët gjitha janë arritur katër partneritete me institucione të veçanta”.

“E para është partneriteti me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Europiane për investime”.

“Besoj që kjo është ajo ana e shkëlqyer e medaljes”.

Në intervistën dhënë për Programin e Mëngjesit në RTK, Safet Gërxhaliu, ka thënë se ana tjetër e medaljes, sa i përket ekonomisë kosovare, është niveli i lartë i papunësisë, rritja e varfërisë dhe rënia e investimeve direkte.

Ai kërkon që prioritet të jetë ekonomia.

“Mirëpo kur kemi parasysh se kemi një shkallë të lartë të papunësisë, kemi një rritje të varfërisë dhe kemi rënie të investimeve direkte dhe për më tepër më tutje Kosova shoqërohet me eksportin e parasë së gatshme dhe jo të produkteve, kjo është që nuk na jep hapësirë për komoditet, por duhet përkushtim në rend të parë për një vetëdijesim, në atë se që prioritet i prioriteteve të jetë ekonomia”.

Duke folur për prioritetet e Qeverisë, që janë integrimet evropiane, Gërxhaliu thotë se opinioni kosovarë nuk duhet “gënjyer” sepse pa zhvillim ekonomik, nuk do të ketë as “përshpejtim të proceseve integruese”.

“Duhet të jemi të sinqertë ndaj masës, që nuk është e pritur të shpejtohet proceset integruese dhe ato të liberalizimit në qoftë se nuk do të ketë zhvillim ekonomik”.

“Ne nuk na duhen agjencione për zbatimin e ligjeve, por ne na duhen që ligjet aktuale të jenë fleksibile, të jenë të bazuara në indikatorët ekonomik dhe ato të jenë në funksion të ardhmërisë”, ka thënë Safet Gërxhaliu për RTK.