Prej protestave masive tek muri ndarës: Viti 2016

Fundi i vitit natyrshëm imponon edhe rivlerësimin të ndodhive paraprake. Sikurse edhe në vitet e mëparshme, pakënaqësia është akumuluar dhe fundviti mbaron me shpresën për ndryshime rrënjësore politike dhe ekonomike. Por, nëse më herët kjo ka qenë një pritje më pasive, duket se viti 2017 shënon momentin e fundit të ndryshimeve të kërkuara.

Opinion

27/12/2016 13:49

Fillimi i vitit 2016 u shënua me protesta masive qytetare kundër Qeverisë dhe projekteve të saj anti-kushtetuese. Pakënaqësia qytetare e sivjetshme arriti pikën më të lartë të mobilizimit qysh nga paslufta e tutje dhe manifestimi i kësaj pakënaqësie mori edhe përmasa të veprimeve të skajshme. Krahas pakënaqësive ekonomike dhe sociale, fokusi i gjithë mobilizimit u drejtua në kundërshtim të dy marrëveshjeve të papranueshme dhe anti-kushtetuese, Demarkacionit dhe Asociacionit. Përderisa me marrëveshjen e demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova humb mbi 8.000 hektarë të territorit të saj, marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe është kualifikuar si anti-kushtetuese edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. E para, e dëmton Kosovën territorialisht, ndërsa e dyta cenon Kosovën institucionalisht. Me një fjalë, të dy marrëveshjen janë në kundërshtim direkt me integritetin territorial, rendin kushtetues dhe strukturën e sovranitetit të Kosovës. Dhe jo rastësist, qytetarët reaguan masivisht në mbrojtje të vlerave vitale të shtetësisë të Kosovës.

Përderisa viti 2016 filloj me protesta masive kundër marrëveshjeve antikushtetuese, fundviti i sjell sfiden e radhës Kosovës. Muri tek ura e Ibrit në Mitrovicë, nuk është i njejtë me barrikadat në veri. Është shumë më tepër se aq, rikujton histori të shekullit të kaluar dhe mund të ketë pasoja të paparashikuara politike dhe territoriale. Për shkak të paaftësisë të qeverisë aktuale, aty në vend se të ndërtohet ura po ndërtohen mure. Në vend se të inicohet bashkimi, po muroset ndarja. Procesi i Brukselit nën udhëheqjen e Isa Mustafës, po shënon kulmin e dështimeve me krijim të barrierave të reja territoriale, politike dhe institucionale sa i përket konsolidimit territorial të Kosovës.

Për mëse tre vite dialog, Kosovën praktikisht vetëm sa a kanë larguar nga objektivat real e strategjik të saj. Kjo nuk është pasojë direkte e dialogut në parim, por pasojë e atyre që dialogojnë në emër të saj. Dhe kjo qeveri e këta udhëheqës, mbeten modeli më i keq-vlerësuar deri më tani. Ata janë unik në negocim marrëveshjesh antikushtetuese dhe në kundërshtim me interesat e atyre që i përfaqësojnë.

Paralelisht tensioneve dhe kundërshtimeve rreth marrëveshjeve antikushtetuese, viti 2016 është shquar edhe për një sërë problemesh të shumta sa i përket qeverisjes. Vëmendja politike natyrshëm drejtohet tek faktet pasuese.

⦁ Si pasoj e paaftësisë dhe politikave defanzive, ndikimi i Serbisë në Institucionet e Kosovës ka marrë përmasa shqetësuese dhe tejkalon secilen periudhë paraprake, që nga përfundimi i luftës e këtej.

⦁ Kosova mbyll edhe vitin 2016 pa Ushtri. Qeveria e Kosovës nuk arriti të bëjë transformimin e domosdoshëm të FSK. Sadoqë pengesa formale mbetet Lista Serbe, pengesa reale është Beogradi dhe ndikimi i lartëcekur.

⦁ Në aspektin rendit dhe ligjit, Kosova vazhdon të jetë një prej vendeve më jofunksionale në rajon dhe me parametra shumë të lartë të krimit të organizuar dhe korrupcionit politik. Prokuroria dhe gjyqësia vazhdon të jetë nën ndikim të jashtëzakonshëm të faktorëve qeveritarë. Afera “Pronto” shpërfaq gjithçka. Besimi në institucione prokuroriale dhe gjyqësore – sidomos përgjatë këtij viti – ka rënë në pikën më të poshtme të mundshme.

⦁ Përkundër manipulimeve të shifrave që ofron Qeveria, Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë dhe me një shkallë enorme të papunësisë në mes të rinjëve. Rritja ekonomike prej rreth 3.5 % as për se afërmi nuk plotëson nevojat urgjente të zhvillimit ekonomik dhe zbutjen e papunësisë. Bilanci tregtar me jashtë mbetet në nivele të njejta, ndërsa po shënojmë rritjen më të shpejt të borxhit publik në rajon dhe më gjerë.

⦁ Sistemi shëndetësor është totalisht i degraduar dhe i përfshirë nga praktika keq-menaxhuese dhe korruptive. Pakënaqësia publike në raport me performancën e shërbimeve publike shëndetësore është në kulmin e saj. Miliona euro shpenzohen për shërim jashtë vendit nga qytetarët në nevoj,

⦁ Për nga aspekti i arsimit, rezultati i fundit i PISA tregon shumçka për nivelin e arsimit në Kosovë. Është indikator serioz i nivelit të arsimit në Kosovë. Institucionet akademike vazhdojnë të jenë të kontrolluara dhe manipuluara politikisht.

⦁ Kosova, po e përmbyll vitin 2016 me mungesë të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj vazhdojnë të mbesin të getoizuar . Pavarësisht faktit që Kryeministri i Kosovës ka tentuar ta bartë përgjegjësinë tek opozita, paaftësia e plotë e tij për ta menaxhuar këtë proces mbetet evidente. Shembulli më i mirë krahasues për të mbetet Ukraina. Përkundër faktit se ky shtet ka kufi dhe terriotor të padefinuar dhe në një pjesë të territorit të saj nuk ushtron fare kontroll, qeveria e saj arriti që me sukses të përmbyll negociatat për liberalizim të vizave për qytetarët e saj.

Qeveria e Kosovës mbanë përgjegjësi të pamohueshme në këtë dështim nacional.

Kosova po e përmbyll vitin 2016, me një serë dështimesh dhe numër të kufizuar suksesesh. Me demokraci të lënduar dhe legjitimitet institucional të humbur, në vitin pasues Kosova mbetet e sfiduar rëndë. Mbetemi vendi i vetëm, të paktën në rajon, që edhe pas dekadash dalje nga regjimi komunist, ende udhëhiqemi nga njerëz të po atij regjimi. Të fundit, të kombinuar me të korruptuarit, rrezikojnë seriozisht të ardhmën e këtij vendi.

Dështimet e mësipërme nuk janë të vetmet. Në sytë e ndokujt mund të duken subjektive, por gjithsesi mbeten realitet. Do të isha tepër i lumtur nëse argumentet do ta diktonin të kundërtën. I takoj këtij vendi dhe i gëzohem çdo suksesi të tij.

Tashmë e paralajmëruar, viti 2017 do të shënoj ndryshimet e mëdha politike. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si asnjëherë më parë, është e gatshme në marrje të përgjegjësive qeverisëse dhe në transformimin e thellë të kursit politik në Kosovë.

2017, qoftë vit i mbarë për Kosvën.

Autori është Sekretar Ekzekutiv i AAK-së