Politikë e bronzit

Përmendorja e Car Llazarit në Mitrovicë nuk synon të shpreh një kujtesë në bronz. Ajo mëton të jetë një Deklaratë politike, e cila duhet të konfirmojë që gjithçka në Kosovë dhe në relacionet e Kosovës me Serbinë, është siç ka qenë para vitit 1999-të.

Lajme

01/07/2016 15:26

Shkruan: Blerim Shala

Filmi “Good Bye, Lenin”, i regjisorit gjerman Wolfgang Becker, i cili ndryshe është goxha i njohur edhe ndër ne, sepse ishte shumë i suksesshëm në Evropë, duket se na ofron shpjegimin më të mirë kulturor dhe politik për ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës, por edhe për qasjen mbizotëruese të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës në muajt e fundit.

Filmi nisë në ditët e fundit të Gjermanisë Lindore, në vjeshtën e vitit 1989. E ëma e kryeprotagonistit, që quhet Alex Kerner, bie në koma në ditët kritike kur nisë prishja e Murit të Berlinit dhe shembja e Komunizmit. Ajo i kalon në gjendje vegjetimi javët dhe muajtë e ndryshimit të epokave në historinë evropiane dhe botërore. Kur zgjohet, i biri vendosë të mos ia tregojë të vërtetën që shteti i saj, DDR, (Gjermania Lindore pra), është fshirë nga faqja e dheut dhe hartat gjeografike, sepse mendon që nëna e tij do të vdes menjëherë nëse e  kupton fatin e kobshëm të shtetit në të cilin ajo besonte. Për më shumë, ai përpiqet në dhjetëra mënyra të mundshme, ta inskenojë tutje ekzistencën e DDR-it dhe të mohojë të tashmen.

Alex arrinë disi ta mbajë gjallë për nënën e tij iluzionin që DDR si shtet është akoma atypari, deri në vdekjen e saj që ndodhë pak ditë pas unifikimit formal të Gjermanisë, në tetorin e vitit 1990.

Ndërmarrjet e fundit e Beogardit zyrtar në Veri të Kosovës, veçmas me inaugurimin e përmendores së Car Llazarit, i shkojnë mirë krahasimit me përpjekjet e Alex Kernerit për ta bindë disi të ëmën e tij që gjë prej gjëje nuk ka ndryshuar në Berlin dhe në DDR, apo që jeta po vazhdon me të vjetrën.

Natyrisht, historia e njëmendë e Betejës së Kosovës në Shekullin e XIV, nuk ka gjë të përbashkët me atë rrëfimin mitologjik të Serbisë, i cili shërbeu si themel i Lëvizjes për krijimin e shtetit serb në Shekullin XIX. Miti dhe politika për Luftën e Kosovës janë në raporte të përjashtimit me historinë e mirëfilltë.

Atëherë ikej nga historia, për të mbërri në politikë.

Tani, po ndodhë e kundërta. Po iket nga politika, nga gjendja reale në Kosovë, për të ecur në drejtimin kah e shkuara, një herë në vitin 1389, e pastaj, në periudhën e cila ka perënduar një herë e përgjithmonë, atje në vitet e nëntëdhjeta, kur Kosova përjetoi atë decenien më të rëndë në relacionet e saja me Serbinë.

Përmendorja e Car Llazarit në Mitrovicë pra, nuk synon aspak të shpreh një kujtesë në bronz për një ngjarje historike. Ajo mëton të jetë një Deklaratë e pastër politike, e cila duhet të konfirmojë që gjithçka në Kosovë dhe në relacionet e Kosovës me Serbinë, është siç ka qenë para vitit 1999-të.

Është ky një univers paralel të cilin me çdo kusht mundohet ta mbajë gjallë Beogradi zyrtar, megjithëse nuk ka politikan serb në Serbi që nuk e di se çka ka ndodhë në Kosovë që prej viteve të luftës e këndej.

S’do mend që procesi i integrimit të Veriut mbtetet i ndërlikuar për autoritetet e Prishtinës. Kohëve të fundit, po përballemi me një vendnumërim evident në këtë aspekt. Megjithatë, ky proces nuk ka alternativë. Sa më shumë që ka ‘instalacione’ politike dhe historike të llojeve që muajve të fundit në Veri, aq më pak hapësirë i lihet mekanizmave të mirëfilltë politik dhe ligjor për të cilët në parim janë zotuar Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm për shkak të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, por mbi të gjitha sepse udhëheqësitë në Prishtinë dhe në Beograd e dinë që ndryshe nuk mund t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Brexit nuk do të ndryshojë gjë thelbësisht në këtë aspekt për Kosovën dhe Serbinë, pos që do ta komplikojë edhe më shumë këtë proces i cili është njëkahësh dhe i pakthyeshëm, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Objektivisht, as këtupari as atje, në Serbi, nuk ka gjë më të çmueshme në këtë aspekt se koha dhe e tanishmja.

Qasja e cila është parë muajve të fundit në Veri, përpiqet pikërisht ta humbë kohën dhe ta zhbëjë të tanishmen, duke synuar ta bëjë Kosovën, si shtet, si politikë, si shoqëri, peng të një historie dhe një politike e cila ka sjell vetëm tragjedi dhe dëme Kosovës dhe gjithë rajonit.