Policia suedeze “gabon”, i dërgon pako me drogë Ambasadës shqiptare

Ambasada shqiptare në Suedi ka marrë një pako të pazakontë. “Kanabis” dhe “pluhur”, shkruhej në pakon e dërguar me postë në ambasadë, ku kjo e fundit ka lajmëruar menjëherë policinë, raporton gazeta Shekulli.

Lajme

06/05/2014 00:48

Punonjësit e ambasadës në fillim menduan se kishin të bënin me ndonjë lëndë eksplozive, por kur mbërriti policia dhe bëri verifikimet, rezultoi se ishin dy qese me lëndë narkotike të llojit “kanabis”dhe tri qese më të vogla me mbishkrimin “pluhur”, e cila kishte brenda gjithashtu lëndë narkotike.

Pas hetimeve nga grupi i posaçëm, rezultoi se ka qenë pikërisht policia ajo që e ka dërguar pakon në ambasadën shqiptare në Suedi.

Sipas policisë, një punonjës i saj, për shkak të një gabimi kompjuterik, e dërgoi pakon me drogë në ambasadën në Stokholm, në vend që ta dërgonte në laboratorin e kriminalistikës në Policinë e Suedisë.