Polici i verbër që e ka ruajtur qytezën pa asnjë krim (FOTO)

Një polic i verbër ia ka dalë ta mbajë qytezën e tij të lindjes në jug të Kinës pa asnjë krim për më shumë se dhjetë vjet.

Fun

09/07/2015 19:46

Pan Yong filloi ta humbte shikimin në 2002-shin për shkak të glaukomës dhe kataraktit. Sot ai thjesht mund ta ndiejë dritën.

Megjithatë kjo nuk e ka penguar 43-vjeçarin të kryejë detyrën e tij si i vetmi polic i qytezës Lanba në provincën e Guizhout.

Ai është përgjegjës për rendin në tre fshatra administrativë dhe 13 fshatra më të vegjël përgjatë 38 kilometrave vijë hekurudhore.

Në dhjetë vite që Pan bën këtë punë, në zonë nuk është regjistruar asnjë rast kriminal, probleme me sigurinë publike apo aksidente trafiku.

Një pjesë të mirë në suksesin e 43-vjeçarit ka edhe e shoqja, Tao Hongying. 46-vjeçarja është roje sigurie në stacionin lokal hekurudhor dhe e ndihmon të shoqin në punën e tij të përditshme.

“Nuk është ndonjë detyrë e lartë, por e dua këtë profesion. Ime shoqe më quan të varur pas punës. Thjesht mendoj se kontribuoj më shumë kur qëndroj në postin tim, edhe kur nuk e kam për detyrë. Megjithëse nuk i shoh dot më trenat, mund t’i dëgjoj. Besoj se duke u shërbyer njerëzve jeta ime merr kuptim të vërtetë”, shprehet Pan Yong./Shekulli