Pesë vendimet e 8 qershorit

Më qytetari nuk do të fal premtimet e shkelura. Durimi i tyre do të jetë me afat skadimi që matet më së shumti me dy vjet, nëse në ndërkohë nuk do të ketë ndryshime të qarta në jetën e qytetarëve.

Opinion

04/06/2014 11:45

Puna e vullnetit të qytetarëve në demokraci, është gjithmonë Botë në vete.

Sado që matja e pulsit të votuesve, mund të jetë goxha e saktë, ajo gjithnjë e ka margjinën e gabimeve, dhe çka është kryesorja, gjithmonë, edhe në Kosovë, ekziston një përqindje e rëndësishme e votuesve që ende nuk e kanë ndarë mendjen se kë do ta përkrahin në zgjedhje, dhe një tjetër masë e votuesve që ende hamendet a të dalë apo jo në zgjedhje.

E këto dy grupe lehtë përcaktojnë fituesin në zgjedhje, edhe në rastin e Kosovës.

Nuk dihet pra kush do të fitojë në zgjedhjet e 8 qershorit.

Por janë disa të njohura, shumë të rëndësishme, të cilat mund të zënë vend në çdo përpjekje për të bërë një parashikim të qëndrueshëm të zhvillimeve në politikën kosovare, prej 8 qershorit e tutje.

Së pari, nuk ka dyshim që këto janë zgjedhjet më të rëndësishme parlamentare në Kosovë, që prej se ka ndodhë shteti i Kosovës.

Në fakt, ato të nëntorit të vitit 2007, u bënë para se të shpallej pavarësia e Kosovës, dhe tek më pas, përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, u kualifikuan, legalisht, si zgjedhjet e para në shtetin e Kosovës.

Zgjedhjet e dyta, të vitit 2010, janë tashmë të shterura si temë debati, për shkaqe fare mirë të njohura që i diskualifikuan ato si votime të lira dhe demokratike.

Çuditërisht, po del që realisht, zgjedhjet e 8 qershorit, janë zgjedhjet e para parlamentare, të mirëfillta, në kuptimin e plotë të fjalës, në Republikën e Kosovës.

Institucionet e reja qendrore të Kosovës, të cilat do të krijohen me vullnetin e shprehur të popullit, këtë të diele, do të kenë përgjegjësinë e veçantë, për ta bërë Kosovën  shtet të qëndrueshëm, stabil, në aspektin politik, ekonomik dhe social, në katër vitet e ardhshme.

Kjo gjithsesi është një detyrë e rëndë.

Së dyti, për shkak të Rendit Kushtetues që ka Kosova dhe organizimit politik, partia që del e para, qoftë edhe për pak vota, do të jetë në ballë të Qeverisë së re të Kosovës. Fituesi i merr të gjithat në politikën kosovare.

Së treti, në çdo variant do të ketë një opozitë të fortë në Kuvendin e Kosovës, e cila tash e tutje, për shkak të vetë karakterit mbizotërues të fushatës për zgjedhjet e përkohshme të 8 qershorit, do të përqendrohet në masë të madhe në premtimet ekonomike dhe sociale të cilat po i bëjnë partitë apo subjektet politike, të cilat do ta ndërtojnë Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Së katërti, temat ekonomike do të jenë ato kyç në politikën kosovare tash e tutje. E në këto tema, njësia matëse, e zhvillimit, e rritjes, e jetës më të mirë, e uljes së papunësisë, është shumë e saktë dhe fare e kapshme.

Premtimet për një kthesë të madhe ekonomike, për një jetë shumë më të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, janë njëmend të mëdha. Shikuar nga prizmi një skeptiku, nëse qoftë një e treta e tyre do të realizohen, në katër vitet e ardhshme, së pari, Kosova do të jetë shumë më mirë si shtet, bashkë me qytetarët e saj, ndërsa partitë që do të jenë në ballë të Qeverisë, do të kenë gjasa të mëdha ta marrin një tjetër mandat qeverisës.

Por, nëse në dy vitet e para të Qeverisë së re, nuk do të ketë shenja të prekshme dhe njësi të matshme të ndryshimit evident të gjendjes ekonomike dhe sociale në vend, qysh tash mund të parashikohet, me saktësi të madhe, që pas dy vitesh do të krijohen rrethanat kur Qeveria në fuqi do të detyrohet të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës, dhe do të kemi edhe një herë, zgjedhje të parakohshme nacionale.

Më qytetari nuk do të fal premtimet e shkelura. Durimi i tyre do të jetë me afat skadimi që matet më së shumti me dy vjet, nëse në ndërkohë nuk do të ketë ndryshime të qarta në jetën e qytetarëve.

Së pesti, porosia e Sundimit të Ligjit, prej Qeverisë së ardhshme e tutje, do të ketë domethënien e mirëfilltë të fjalës, dhe nuk do të jetë më vetëm një parullë politike. Kjo do të thotë që kosovarët do të mësohen së shpejti se kush janë Kryeprokurorët e shtetit dhe të Prokurorisë speciale  (SPRK-së).

Do të ketë lajme nga kjo anë, që sot duken të pamundura.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)