Përpjekje për bashkëpunim më të ngushtë financiar Kosovë-Shqipëri

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza priti sot në Prishtinë ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Lajme

15/07/2014 23:36

Bashkëbiseduesit ranë dakord që të mendohet për hapa konkretë, të cilët do të kishin për qëllim afrimin e institucioneve financiare dhe bizneseve dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, njofton agjencia e lajmeve ATSH.

Ambasadori Minxhozi theksoi rëndësinë e nevojës për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin midis institucioneve përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në njoftimin e dërguar nga BQK, bëhet e ditur se guvernatori Hamza e njoftoi ambasadorin shqiptar për zhvillimet ekonomike e financiare në Kosovë, me theks të veçantë për industrinë bankare, industrinë e sigurimeve dhe për sfidat nëpër të cilat ka kaluar ky sistem.

Ai më tej theksoi edhe mbështetjen që shteti shqiptar është duke dhënë në zhvillimin  ekonomik, me praninë e tij në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve.

Guvernatori, po ashtu vlerësoi edhe marrëdhëniet e shkëlqyera që BQK-ja ka me institucionet homologe shqiptare.