Për nëntë muaj rreth 260 raste të reja me kancer të gjirit në Kosovë

Në nëntëmujorin e këtij viti, në Kosovë janë paraqitur 260 raste të reja me kancer në gji.

Lajme

08/10/2018 14:40

Derisa viti 2017 është përmbyllur me 320 raste me kancer në gji, ka shënuar kancerin më të shpeshtë në vend, shkruan lajmi.net

Ndërsa në total të prekura nga kjo sëmundje janë afër 1540 raste.

Me këtë rast Ministria e Shëndetësisë ka themeluar Bordin për Kontroll të kancerit si organ të vetin për zbatimin e Planit Nacional për kontroll të kancerit në Kosovë.

Ky Bord është në  zbatim të aktiviteteve nga tre programe: Programit për skrening të kancerit të gjirit; skriningut të kancerit të qafës së mitrës dhe skriningut të kancerit kolorektal. Sa i përket, muajit tetor që njihet si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, së bashku me Bordin janë paraparë kryesisht aktivitete sensibilizuese për parandalimin e këtij lloji të kancerit, fuqizim i kapaciteteve diagnostike, vazhdim i projekteve të mamografisë mobile dhe asaj në institucione shëndetësore, etj.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë i ka thënë lajmi.net se është duke punuar edhe në disa video-projeksione vetëdijesese, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë që të përmbush edhe kërkesat e Bordit për çfarëdo aktiviteti që  ky bord ka dizajnuar për këtë muaj dhe se MSh konsideron se implikimet buxhetore janë modeste krahasuar më rëndësinë që kanë për të ndihmuar gratë në Kosovë për rritjen njohurive për parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit.

Ndryshe, nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijnë shifrën prej 21.7 milionë. /Lajmi.net/