Për luftimin e virusit në Afrikë, BE do të grumbullojë 1.27 miliard dollarë

Bashkimi Evropian është angazhuar të hënën për të rritur përpjekjet e saj në gjetjen e 1.27 miliard dollarëve për të ndihmuar Afrikën perëndimore në luftimin e përhapjes së sëmundjes nga virusi ebola.

Bota

20/10/2014 18:51

Ministrat e Jashtëm të BE-së nga sot kanë filluar një javë të aktiviteteve për të luajtur një rol më aktiv në rritjen e reagimit ndërkombëtar për ebolën, për shkak se, sipas tyre, deri më tani nuk është bërë mjaftueshëm për ta ndalur përhapjen e virusit, nga i cili deri më tani kanë vdekur më shumë se 4,500 persona.

Si transmeton REL, kryeministri britanik, David Cameron ka kërkuar që të organizohet një samit dyditor me liderët e 28 vendeve anëtare të BE-së, për të mbledhur 1.27 miliard dollarë për Afrikën perëndimore.

“Është koha për të vepruar tani, nëse duam që të luftojmë këtë virus”, ka thënë Robero Bertollini, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në BE.

Deri më tani, shtetet e BE-së kanë kontribuar me rreth 640 milionë dollarë për ebolën, prej të cilave 204 milionë janë dhënë nga Britania e Madhe.

“Paratë janë shumë me rëndësi, stafi mjekësor është shumë me rëndësi, dhe pajisjet janë shumë me rëndësi”, është shprehur Catherine Ashton, shefe e politikës së jashtme të BE-së.