Për Ferid Aganin lufta kundër rriqrave mbetet ende sfidë

Malisheva vazhdon të mbetet vatër natyrore e etheve hemorragjike krime kongo.

Lajme

24/04/2015 19:59

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, mori pjesë në konferencën njëditore në nivel të vendit, me temën: “Ethet hemorragjike krime kongo në Kosovë”.

Në hapje të kësaj konference, ministri Agani, e quajti sfidë problemin e EHKK-së, duke potencuar nevojën e angazhimit të mëtutjeshëm të të gjitha institucioneve përgjegjëse vendore për luftimin dhe parandalimin e kësaj të keqeje.

Në këtë konferencë që u organizua nga Shoqata e Infektologëve të Kosovës dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë, u konstatua se Malisheva vazhdon të mbetet vatër natyrore e etheve hemorragjike krime kongo.

Maji, qershori dhe korriku, mbeten muajt kur ka më shumë raste, ndërsa sipas të dhënave, në aspektin gjinor, tek meshkujt janë shënuar më shumë raste të prekjes nga EHKK.

Në prezantimin e publikuar:“Ecuria e thumbimeve nga rriqrat nga viti 2007-2015 në Komunën e Malishevës”, u tha se në vitin 2013, janë shënuar më së shumti raste të thumbimit, gjithsejtë 2686, prej tyre 17 të infektuar dhe 6 të vdekur.

Nga paslufta, në Malishevë, kanë vdekur 18 persona nga EHKK, prej tyre, 12 meshkuj dhe 6 femra, ndërsa mosha mesatare sillet rreth 35 vjeç.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga ministria e Shëndetësisë, përfaqësuesit përgjegjës komunal, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, dhe rreth 250 pjesëmarrës nga fusha e shëndetësisë, epidemiologjisë dhe fushave tjera që ndërlidhen me ethet hemorragjike krime-kongo.