Peci: EULEX-i të përfundojë misionin e tij

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka kërkuar që misioni i EULEX-it të përfundojë misionin e tij, pasi sipas tijka ardhur koha që Kosova të përballet vet me problemet e saj si shtet i pavarur dhe sovran.

Lajme

21/12/2017 12:23

Këtë kërkesë ai e bëri gjatë një ligjëratës ligjërata “Sistemi gjyqësor në Kosovë, sfidat dhe vështirësitë” të organizuar nga Fakulteti Juridik në Kolegjin AAB.

Në këtë ligjëratë, kryetari i Supremes tha se institucionet e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë, që nga paslufta nuk janë ndalur së punuari që në Kosovë të ketë një sistem të mirëfilltë gjyqësor, ku të gjithë do të jenë të barabartë dhe të trajtohen si të tillë, e që të arrihet kjo neve na duhet një vullnet më madh politik dhe përkushtim i plotë.

“Me vullnet politik mund të bëhet më mirë, gjendja nuk është ajo çfarë dëshirojmë, problem është numri i madh i rasteve, ndoshta do të mund të thosha që problemi është i krijuar edhe nga pushtetet tjera, ngase nuk e ka pasur përkrahjen adekuate në drejtim të përmirësimit edhe të kushteve materiale, edhe të kushteve tjera për gjyqësor”, tha Enver Peci.

Peci, tha se aktualisht besimi në sistemin e gjyqësisë është i ulët, duke qenë se media ka zbuluar shumë raste të korrupsionit në këtë sektor. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit nënkupton edhe marrjen e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor në tërësi.

Ndërsa, Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa tha para studentëve të Fakultetit Juridik se gjenerata e juaj i përket komunitetit të drejtësisë, dhe se ju jeni influenca e gjeneratave të reja, duke theksuar se sot Kolegji AAB ofron të gjitha kushtet që studentët të jenë të përgatitur për rrugëtimin e tyre profesional.