PE miraton rezolutë për Shqipërinë

Është miratuar rezoluta për dhënien e statusit shtet kandidat për Shqipërinë. Mirëpo, ka pasur edhe zëra kundër dhënies së këtij statusi nga përfaqësues të shteteve të ndryshme të BE’së.

Lajme

12/12/2013 14:40

Parlamenti Europian ka miratuar një Rezolutë që i rekomandohet Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që t’i jap Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Mirëpo, gjatë debatit të zhvilluar gjatë ditës në PE, ka pasur zëra kundër dhënies së këtij statusit.

Në seancë plenare të Strasburgut, debati për Shqipërinë nuk arriti të bindë përfaqësuesin lituanez të Këshillit të BE-së, megjithëse dhënia e statusit kandidat u mbështet nga Komisioneri për Zgjerim, raportuesi, grupet kryesore politike dhe kreu i delegacionit për Ballkanin.

“Nuk dua të paragjykoj vendimin e ministrave të 17 dhjetorit. Qeveria shqiptare në fillesat e saj duket e vendosur për të përparuar në fusha kyçe. Në të njëjtën kohë, konsideratë e rëndësishme për vendet anëtare mbetet nevoja për qëndrueshmëri e besueshmëri me krijimin e gjurmëve të provave”, tha Vytautas Leskevicius, përfaqësues i presidencës lituaneze të Këshillit të BE-së.

“Zgjerimi është i besueshëm vetëm atëherë, kur secila palë u përmbahet detyrimeve të veta. Shqipëria ka dorëzuar, e kështu duhet të bëjmë dhe ne”, theksoi komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, transmeton topchannel.

“Rezoluta parashikohej për në janar. Unë këmbëngula që të sillej më herët. Këmbëngula për dy arsye: njëra për të ndihmuar vendin e tjetra për të ndihmuar Parlamentin. Mendoj se Parlamenti duhet të ketë një qëndrim të fortë për çështje të tilla të rëndësishme, siç është zgjerimi, e më pas i takon Këshillit të vendosë”, tha Nikola Vuljanic, raportues për Shqipërinë në PE.

“Ne jemi pro dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë. E meriton këtë, e kjo s’do të thotë se meriton të jetë një vend anëtar. Ende jo. Por, do të donim që të nisnin edhe negociatat”, tha eurodeputetja Doris Pack.

“Dhënia e statusit kandidat është hapi i duhur përpara. Por, ne do donim të inkurajonim të gjitha forcat politike dhe autoritetet shqiptare që t’i konsolidojnë arritjet dhe të shtojnë përpjekjet për të pasur një vendim pozitiv për hapjen e negociatave”, tha Libor Roucek, nga grupi S&D në Parlamentin Europian.

“Urime zotit Berisha, i cili la krahun pas zgjedhjeve pa sulme. Mendoj, pa një sulm në historinë demokratike shqiptare. Urime zotit Rama, i cili ia doli të bëjë detyrat e shtëpisë europiane për Shqipërinë. Le të shpresojmë se ministrat do t’i japin një mundësi  Shqipërisë për të ecur para me procesin e reformave të saj dhe të shpresojmë se forcat politike në vend do e mbajnë këtë mundësi me të dyja duart”, u shpreh Marie Cornelissen, nga grupi i të gjelbërve në PE.

“Ky nuk është çmim për një Qeveri, apo tjetrën. Është më shumë një sinjal ndaj gjithë shqiptarëve, për t’i inkurajuar ata që të vijojnë me reformat e shumta që kanë mbetur për të arritur kritereve të Kopenhagës. Mirëqenien e njerëzve duhet të kemi parasysh dhe janë ata që duhet të përfitojnë nga ecja përpara në rrugën e BE-së”, u shpreh Marietje Schaake, nga grupi liberal në PE.

“Kjo është koha kur duhet intensifikuar miratimi i reformave të mbetura. Sërish jap mbështetjen time ndaj rezolutës, e përgëzoj raportuesin dhe shpresoj se mesazhi kryesor do të ndahet edhe nga Këshilli më vonë gjatë këtij muaji”, theksoi Eduart Kukan, kryetar i delegacionit për Ballkanin në PE.

“Besoj fort se dhënia e statusit kandidat do të çojë një mesazh inkurajues ndaj gjithë qytetarëve të saj se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë. Do të konsolidojë më tej angazhimet e vendit për integrimin europian, si stimulues për të vijuar reformat e nevojshme dhe të përballojë më mirë sfida të tilla si situata aktuale ekonomike. Unë besoj fort se kjo do të ketë, pa asnjë dyshim, ndikim pozitiv në rajon”, tha ndër të tjera Fyle.