Paralajmërimet për protesta, ekstremizmi, e papunësia shkak për destabilizim të vendit

Paralajmërimet për organizimin e protestave nga ana e opozitës, kërcënimet nga ekstremizmi dhe radikalizmi, papunësia, korrupsioni dhe shumë faktorë tjerë mund të jenë shkak për destabilizimin e sigurisë në vend. Kështu thonë njohësit e çështjeve të sigurisë, të cilët vlerësojnë se sidomos protestat e dhunshme dhe kërcënimet nga ekstremizmi janë faktorët kyç për kërcënimin e sigurisë në Kosovë.

Lajme

03/10/2015 11:21

Njohësi i çështjeve të sigurisë Naim Rashiti nuk beson se tensionet politike ku opozita po kërkon nga kryeministri heqjen e nënshkrimit nga marrëveshja me Serbinë për Asocacionin dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, mund të kthehen në çështje të sigurisë.

Shqetësimin për kërcënimin e sigurisë në Kosovë, Rashiti i sheh protestat që janë paralajmëruar nga opozita, të cilat mund të eskalojnë dhe të bëhen të dhunshme sikurse ato të fillim vitit.

“Shqetësimet për sigurinë eventualisht është një masë, një dozë e vogël është sa i përket protestave, daljes në rrugë, të dhunshme si ato të fundit, jo se ata ishin përkrahës t ë Vetëvendosjes por në pakënaqësia në rritje të madhe të qytetarëve kishim një energji negative të të rinjve në veçanti për t’i sulmuar institucionet dhe kjo është në rritje e sipër. Kjo energji negative, ky depresion shoqëror në mesin e të rinjve, me institucionet është në rritje dhe institucionet do duhej të brengoseshin shumë për këtë. Çështja tjetër është ky debat që po udhëhiqet në Prishtinë i fokusuar rreth Asociacionit dhe demarkacionit si do të përkthehet në tensionet ndëretnike”, tha Rashiti për KosovaPress.

Për Rashitin, rritja e ekstremizmit fetar dhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj qasjes së Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, paraqesin shqetësim në këtë drejtim.

 “Vetëvendosje po shtrembëron informacionin rreth Asociacionit dhe rezultateve të marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa Qeveria po e minimizon apo po e lenë gjysmak në aspektin e informacionit dhe kjo është situata më e keqe e mundshme që mund të jetë… Çështja tjetër që mbetet shqetësuese është rritja e nervozizmit të madh edhe institucional edhe shoqëror në raport me BE-në, me perëndimin sa i përket qasjes ndaj Kosovës… Ekstremizmi fetar është në rritje, ai në natyrën e vet të paraqiste kërcënim edhe i sigurisë edhe i shoqërisë, identitetit shoqëror të kësaj shoqërie. Dhe eventualisht raste të caktuara mund të kërkoj hapësira zbrazëtira të sigurisë këtu në Kosovë”, theksoi ai.

Edhe Skënder Përteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë për KosovaPress se aktualisht siguria në Kosovë është e mirë, por nuk përjashton mundësinë që protestat e paralajmëruara, papunësia, korrupsioni dhe faktorët tjerë janë kërcënuesit kryesor të sigurisë në vend.

 “Mos të harrojmë se dy qeveritë, qoftë Qeveria Thaçi 1 dhe 2 dhe qoftë Qeveria Mustafa që jemi tash gjithë fokusin po e shfrytëzon në dialogun me Serbinë dhe shumë pak po punohet në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Shembull, kërcënimet kryesore në barometrin që kemi bërë vitin e kaluar, kërcënimet kryesore të sigurisë në Kosovë janë papunësia, zhvillimi i ulët ekonomik, pastaj korrupsioni, stabiliteti politik dhe kërcënimet tjera. Do të thotë humbja e fokusit të Qeverisë vetëm në dialogun me Serbinë, vetëm me implementimin e marrëveshjeve, e ka lënë Qeverinë shumë hapa mbrapa në adresimin e sfidave ekonomike dhe sfidave tjera me të cilët po përballemi”, thotë Përteshi.

Sipas tij, preteksti që po përdor opozita që janë kundërshtimi i marrëveshjeve me Serbinë dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, mund të jenë elemente që mund ta ngritin qytetarin në këmbë dhe të protestojnë kundër tyre, por të përdorën ata edhe për sfida tjera, siç janë zhvillimi ekonomik, papunësia, korrupsioni dhe sfida tjera që po ballafaqohen qytetarët. /Kp