Paniku i Humbjes

Shpend Ahmeti thotë se rivalin e tij e ka kapur paniku i humbjes. Sipas tij, investimet gjatë kësaj periudhe zgjedhore janë pjesë e frikës që ka Isa Mustafa për humbjen më 1 dhjetor. Ai beson në fitoren e tij dhe në vullnetin e qytetarëve për ndryshim.

Lajme

24/11/2013 17:00

Shpend Ahmeti thotë se po sheh frikë e panik te rivali i tij, Isa Mustafa, me të cilin do ta ketë përballjen finale për Kryetar të Prishtinës, më 1 dhjetor.

Si shenjë të frikës së humbjes ai po i sheh edhe investimet që po i bën gjatë kësaj periudhe zgjedhore në rregullimin e rrugëve, parqeve e hapësirave të gjelbëra, Kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një interviste për Kosovapress, thotë se edhe përkundër këtyre investimeve zgjedhore, beson fuqishëm në fitoren e tij.

Ai konsideron se është për brengosje se si një pjesë e buxhetit të vitit 2012 është lënë e pashpenzuar qëllimisht për vitin 2013, për të bërë investime në kohë fushate.

“Është brengosëse që tash pas zgjedhjeve të 3 nëntorit janë intensifikuar projekte të shpejta, në disa lagje ku nuk kanë qëndruar edhe mirë, pra po bëhen sa për të thënë që po punohet dhe po mundohen që aty këtu me një votë klienteliste të mundohen të bëjnë diçka”.

“Këto janë shenja e panikut, shenjat e fundit kur dikush e sheh se iu ka rrezikuar pushteti dhe pastaj fillon të bëjë projekte të tilla”.

“Në bisedimet që kemi pasur me banorët e lagjeve ku po investohet, ata në kanë thënë se ai paska pasur mundësi që këto investime t’i bëjë dhe në gjashtë vitet e fundit, por s’paska dashur t’i bëjë“.

Në vijim të intervistës së tij për Kosovapress, Shpend Ahmeti thotë se ngutia për të kryer sa më shumë punë gjatë fushatës, hap dyshime për mosrespektim të procedurava të prokurimit.

“Kur bëhen projektet shpejt e shpejt, për një javë, nuk mund të rregullohen mirë në asnjë aspekt”.

“Pasojat e këtyre projekteve të shpejta do t’i shohim edhe me vonë, por me vonë do të ishte mirë të hulumtohen investimet që janë bërë, a janë bërë me procedura të rregullta, a ka pasur prokurim, sepse ne kemi informata që ka edhe rrugë të shtruara pa bërë fare as prokurim, e investime që janë bërë edhe jashtë buxhetit të komunës vetëm e vetëm që të shpejtohet dhe të tregohet para 1 dhjetorit që po bëhet diçka”.

“Unë para disa ditëve isha në një fshat të Prishtinës ku kishin shkuar zyrtarë komunalë dhe kishin thënë që nuk kanë kohë ta shtrojnë rrugën, por së paku do ta shtrojnë në zhavorr, që t’u tregojnë se nuk e kemi harruar edhe këtë rrugë.”

“Kur e mban derën e komunës mbyllur për katër vjet dhe tash brenda dy javësh mundohesh ta hapësh dhe t’u thuash qytetarëve, është e padrejtë. Ne na nevojitet një komunë që do të punojë bashkë me të gjitha lagjet, fshatrat, për ta përmirësuar jetën, nuk ka shkop magjik por dalngadalë për t’u realizuar projektet me afatgjate”.

Shpend Ahmeti thotë se me këto investime që po bëhen, sidomos pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, po shihet që Mustafa i ka shtuar aktivitetet aty ku nuk ka dalë mirë me vota.

“Ky është problemi me i madh i mendimit të pushtetit aktual edhe në nivel lokal dhe qendror, ku vetëm ato pjesë ku kanë mbështetje kanë edhe investime dhe shihen vetëm aty të fitohet vota me investime”.

“Mendoj që kjo qasje është e gabueshme. Qytetarët, banorët e Prishtinës, janë të barabartë, pa marrë parasysh se cilit subjekt politik i takojnë”.

“Ne nuk guxojmë ta shikojmë një lagje si me mirë apo me e keqe karshi votës që na kanë dhënë, të gjithë janë banorë të barabartë, çdo lagje është e barabartë, duhet që investimet të ndahen në bazë të prioriteteve dhe nevojave që kanë lagjet dhe jo vetëm të konsiderohen vetëm votues”.

Sipas tij, edhe një prej problemeve shumë të mëdha, është se kur po punohet shpejt e shpejt, po duhet t’u kthehet prapë atyre projekteve pas një vitit, si pasojë e mungesës së planifikimit.

Ai thotë se është habitur me projketin e komunës, që është praparë edhe me buxhet për ta hapur një nënkalim në Sheshin Nënë Tereza, i cili është harruar të kryhet në kohën e punimeve në këtë shesh.

“Qytetarët do të vlerësojnë vullnetin për ndryshime, sepse ne kemi diskutuar me qytetarët me sinqeritet, duke mos u premtuar tenderë, apo miliona, por se që të punojnë së bashku për ndryshimin e secilës lagje, secilit fshat, e tërë Prishtinës”.