Pakënaqësi në BDI, dorëhiqen tre zyrtarë
Mosrespektimi i procedurave brenda partiake dhe dështimet në politikat qeverisëse rezultuan me dorëheqje brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Lajme
Pas Zëvendësministrit të mbrojtjes Arben Llabenishti, dorëheqje nga kjo parti ka paraqitur edhe sekretari organizativ i partisë, Hazbi Lika dhe nënkryetari i degës partiake në Haraçinë, Shefik Duraki.
Zëvendësministri i mbrojtjes, Arben Llabenishti, i cili deri dje ishte edhe kandidat për kryetar dege në Strugë në arsyetimin e dorëheqjen ka drejtuar akuza të shumta ndaj strukturave të caktuara duke i etiketuar demagogë, arrivistë, gllabërues, servilë dhe tradhtar.
“Ne të gjithë periudhën e përpjekjeve tona brenda BDI-së për drejtësi, dinjitet dhe ndërtimin e një kursi politik progresist për realizimin e interesave të shqiptarëve, u përballëm me demagogë, arrivistë, gllabërues, servilë, tradhtar… Të gjithë këta së bashku, ashtu si kishin vepruar edhe më parë, u përpoqën të shkatërrojnë substancën e shëndoshë të BDI-së në Strugë dhe në vende të tjera. Qëllimi i tyre është vazhdimi i makuterisë, përbuzja dhe poshtërimi i vlerave tona kombëtare, veprime të cilat krijojnë teren për mos-implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit…Është e papranueshme dhe e dëmshme ta marrësh dhe të përpiqesh ta ruajsh pushtetin pa i realizuar përcaktimet programore, premtimet në fushatat zgjedhore, pa e implementuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila përbën dokumentin bazë për ndërtimin e shtetit multietnik”, shkruan Arben Llabenishti, zv. ministër i mbrojtjes.
Menjëherë pas tij, dorëheqje ka paraqitur njëri nga ish komandantët dhe themeluesit e UÇK-së, Hazbi Lika.
Lika ka thënë se mospërfillja e tij si sekretar organizativ në punët organizative partiake, e ka shtyrë që të heq dorë nga ky post.
“Kam pas besim se si drejtues i këtij sekretariati do e kem më të lehtë për të ndihmuar që anëtarëve të partisë t’iu ofrohet mundësi për të realizuar të drejtat e veta mirëpo ky funksion u shndërrua në dekor dhe si i tillë edhe më tutje do keqpërdorej. Tani e tutje kontributin tim do e jap në Kryesinë Qendrore si anëtar pa funksion duke qenë një zë i fortë i anëtarëve, aktivistëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Përveç se një akt dorëheqjeje nga funksioni i Sekretarit Organizativ, këtë do e vlerësoja edhe si një veprim protestues timin kundrejt drejtuesve të partisë si dhe një akt solidarizimi me anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim”, ka thënë ai.
Hazbi Lika
Lika ishte një nga zyrtarët më të zëshëm edhe në Kongresin tematik të BDI-së ku njëjtë si ai edhe deputet deputeti Zulfi Adili, i njohur si komandanti Qufa, pati kritikuar ashpër politikat kadrovike dhe partiake, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Aliti, i cili u ndal te statusi i pazgjidhur i veteranëve dhe invalidëve të vitit 2001 dhe zyrtarizmi i gjuhës shqipe.
Zulfi Adili-Qyfa, Xhevat Ademi dhe Hazbi Lika kishin kundërshtuar edhe propozimin për stemën e re duke paralajmëruar votimin kundër saj në rast se do të vihej për votim në Kuvend. Dorëheqjet e zyrtarëve të lartë të BDI-së janë mbështetur edhe nga bashkëpartiakët e tyre. Postimin e Hazbi Likës në Facebook ku ai njofton dorëheqjen e tij, sot e kishte shpërndarë dhe ish kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari që në opinion është kuptuar si mbështetje për vendimin e Likës. Pas Llabënishtit dhe Likës, jozyrtarisht bëhet e ditur edhe për dorëheqje tjera që vijnë për shkak të pakënaqësisë në rritje ndaj strukturave të caktuara të partisë dhe pozitës inferiore në qeveri.