Opozita ‘shemb’ Komunën

Për partitë që në Prishtinë janë opozitë, fajin për shembjen e Rrugës “Ekrem Rexha” në Lagjen Arbëria e mban Komuna. Kjo e fundit, fajëson kompaninë dhe paralajmëron fletëparaqitje në Gjykatë kundër saj për këtë rast.

Lajme

30/09/2013 17:08

Partitë opozitare në Prishtinë ia kanë hedhur fajin Komunës për shembjen e dheut në një rrugë në Lagjen Arbëria, si pasojë e shiut që ra që nga orët e hershme të mëngjesit.

Një pjesë e rrugës “Ekrem Rexha”, në Lagjen Arbëria, është dëmtuar ende pa u inauguruar pas rrëshqitjes së dheut, ndërkohë që Komuna e Prishtinës ka fajësuar kompaninë e cila ka bërë punimet në atë rrugë.

Sipas Asdren Osajt, Zëdhënës i Komunës, dheu është shembur pas një ndërhyrje pa leje nga ana e kompanisë.

“Sipas të dhënave nga Drejtoria e Inspeksionit, ndërhyrja ilegale dhe e pa përgjegjshme e kompanisë Redoni në hapjen e gropës ka ndodhur gjatë ditëve të vikendit. Inspeksioni komunal ka bërë menjëherë ndalimin e punimeve dhe e ka obliguar kompaninë që të ndërmarrë masat e nevojshme për sigurimin e rrugës, e cila është në ndërtim e sipër”, ka thënë Osaj, për lajmi.net.

“Komuna po ashtu, kompanisë në fjalë do t’i bëjë edhe fletëparaqitje në gjykatë, për mos respektim të ligjeve dhe planeve rregulluese të lagjes”.

“Komuna e Prishtinës i bën thirrje të gjitha kompanive ndërtuese në vend që gjatë kryerjes se detyrave të tyre të jenë të përgjegjshme dhe të respektojnë normat ligjore dhe planet rregulluese”, ka thënë Osaj.

Por, arsyetimet e Komunës nuk kanë zënë vend te partitë pretendente për ta kontrolluar qeverisjen komunale të Prishtinës pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Disa nga kandidatët tashmë të emëruar zyrtarisht në garën për Kryetar të Prishtinës, rrëshqitjen e dheut të kësaj rruge e cilësojnë si pakujdesi e qeverisjes aktuale të kësaj komune që aktualisht e mbanë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti thotë për lajmi.net se një gjë e tillë është pritur, duke pasur parasysh ndërtimet me jashtë çdo standardi.

“Në këtë rast fotografia flet më shumë se 1000 fjalë. Rrugët e ndërtuara pa plane dhe pa standarde sjellin rrënime te tilla. Kësaj here mundemi vetëm ta konsiderojmë veten fatlumë për edhe një ditë pa viktima”, thotë Ahmeti.

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike për Prishtinë, Lirak Çelaj, thotë për lajmi.net se një shembje e tillë nuk e befason askënd, pasi që, sipas tij, në çdo punim ku kontraktues është Komuna e Prishtinës, nuk merren masa sigurie.

“Besoj që kjo është rezultat i mos reagimit, të mos marrjes së masave të sigurisë për këtë punë. Kjo mund të vërehet në secilin vendpunim bile edhe kur është punuar sheshi ne disa herë kemi thënë që nuk po merren masat e duhura të sigurisë”.

“Kjo është përgjegjësi e Komunës. Nuk mundet ajo t’ia hedhë fajin veç kompanisë. Kompania pa dyshim që nuk mundohet me i ik fajit, po faj ka dhe komuna që nuk është marrë me këtë kontroll”.

Ndërsa kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, në një prononcim për lajmi.net thotë që kjo ngjarje nuk duhet të përdoret politikisht.

“Duke mos dashur të jem kritik në këto momente fushate, them me përgjegjësi se një rast i këtillë po të ndodhte pas vërshimesh të mëdha gjithë qytetarët do ta kuptonin si moment të vështirë, por në këtë rast kjo shembje vjen vetëm pas disa orë shiu që është alarmante”.

“Presim që ngjarje të tilla të mos na përsëritën, duke marrë secili obligimet që ka karshi qytetarëve, duke e vendosur jetën e njeriut në rend të parë. Pres që të ndërmerren masa të shpejta ndëshkimin për gjithë ata që nuk respektojnë standardet e ndërtimit dhe përgjegjësve të kontrollit duke mbrojtur dhe larguar kështu qytetarin nga frika dhe rreziku”, ka thënë Tahiri.

Ka reaguar edhe kandidati i Lëvizjes për Bashkim për Kryetar të Komunës së Prishtinës, Valon Murati.

“Rrëshqitja e rrugës që ende nuk është përuruar në Arbëri, është edhe një dëshmi punëve shkel e shko që kryhen nga administrata komunale. Ne, duke i dhënë jetë Prishtinës, do t’i japim jetë edhe cilësisë dhe kontrollit të punimeve në infrastrukturën e qytetit.”