Opozita e bashkuar proteston sot në Tiranë kundër zgjedhjes së Kryeprokurorit politik

Opozita shqiptare e bashkuar do të protestojë para Kuvendit të Shqipërisë për të mos ejuar zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm nga Partia Socialiste.

Lajme

18/12/2017 07:53

Protesta do të nisë në orën 9:30, gjysëm ore para seancës ku do të hidhet për votim zgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm. Protesta do të alternohet si brenda dhe jashtë Kuvendit paralelisht, gjatë kohës kur do të zhvillohet seanca.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka ftuar Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, qytetarët në tërësi t’i bashkohen protestës.

Në thirrrjen e tij të një dite më parë Basha u shpreh:

“Prokurori politik i Edi Ramës do të përpiqet të zvarrisë, të pengojë dhe të devijojë hetimet për Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Habilajt, Balilajt etj dhe për të shmangur hapjen e hetimeve për Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn, Ilir Beqajn dhe hajdutët e tjerë të Edi Ramës.

Kapja e Prokurorit është një akt që do të shkatërrojë drejtësinë në vend, do të shkatërrojë procesin politik demokratik dhe do të destabilizojë vendin. Shqipëria po sakrifikohet për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, dhe për të kënaqur etjen për pushtet dhe karrierë të patericave që e mbajnë Edi Ramën ende në këmbë…

…Ata që mendojmë se ne do të tolerojmë një kryeministër të lidhur me krimin që të sakrifikojë Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë e kanë gabim. Ne nuk do tolerojmë dhe as nuk do të falim. As Edi Ramën, as Saimri Tahirin, as Vangjush Dakon e as Habilajt, Balilajt dhe Xhafajt. Nuk ka prokuror politik që mund t’i shpëtojë.

Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të kuptojnë se ajo që po ndodh në Shqipëri është mënyra se si shkatërrohet një vend: duke toleruar të keqen për ditë e nga pak. Fillimisht u toleruan kriminelët në Kuvend, pastaj u tolerua droga dhe trafiqet, pastaj u toleruan politikanët që u kthyen në kriminelë si Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako, pastaj u tolerua vjedhja dhe blerja e zgjedhjeve.  Mbi të gjitha u tolerua Edi Rama me të gjitha të këqijat që po sjell vendit.”