Një rrëfim ndryshe për kulturën në Kosovë

Për kulturën në vitet e fundit ka një rrëfim tjetër. Hapa të rëndësishëm konsiderohet se janë bërë në zhvillimin e saj e mbi të gjitha në promovimin e asaj që do t’i quanim fytyra të vërteta të artit në Kosovë. Kosova në këto vite ka qenë prezente në gati çdo ngjarje të madhe kulturore në botë, duke filluar nga Festivali i Filmit në Sarajevë, Festivalin e Cannes, Berlinale, Bienalen e Venedikut dhe plot ngjarje të tjera të kulturës.

Lajme

06/09/2014 18:51

Por ajo çka ka rënë në sy është se artistëve u është hapur dera. Madje kjo ka ndodhur pikërisht edhe me ata që kanë qenë ‘kundërshtar’ dhe kritikues të Qeverisë aktuale. Ka pasur të tillë që ishin quar edhe në protesta që kishin kërkuar largimin e kësaj qeverie, dhe pikërisht janë ata që shteti i ka vendosur në pozitat ku kultura synon të zhvillohet dhe promovohet, dhe po ashtu i ka mbështetur ata financiarisht dhe ka vlerësuar punën e tyre në art. 

Një shembull i parë i kësaj është aktorja Arta Dobroshi. Ishte ajo që disa herë doli në protesta kundër qeverisë, por ishin pikërisht institucionet shtetërore që e dërguan atë në hapësirat më të rëndësishme kulturore për Kosovën. Dobroshi u nominua nga Kosova për Shooting Star në Festivalin e Filmit në Berlianle. 

Përveç kësaj Arta Dobroshi, së fundi është emëruar kryetare e jurisë nga Qendra Kinematografike e Kosovës, për përzgjedhjen e filmit kosovar që do të nominohet për Çmimin Oscar. Kosova tashmë ka fituar këtë të drejtë. Por përveç Dobroshit, në këtë juri janë edhe persona të tjerë që njihen si kritikues të qeverisë dhe madje e akuzojnë atë për përzierje në kulturë. Por përzierja nga shteti në këtë rast nuk ka ndodhur. Jeta Xharra, gazetare dhe një kritikuese e qeverisë është po ashtu në këtë juri. Edhe dramaturgu Jeton Neziraj, që ka qenë një kritikues i vazhdueshëm është emëruar në juri. Edhe aktori Alban Ukaj është anëtar i kësaj jurie. Në mesin e tyre është po ashtu edhe një ish drejtoreshë e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Blerta Zeqiraj. 

Blerta është një artistëve që mese shumti ka marrë mbështetje nga shteti për krijimtarinë e saj në kinematografi, ani pse qëndrimet e saj mund të mos kenë qenë pro qeverisë. Gjithsesi, kjo nuk ka paraqitur kurrfarë pengese për të. 

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku thotë se ka pasur gjithmonë një qasje pranuese ndaj artistëve, pa marrë parasysh qëndrimeve të tyre. 

“Qe tri vite jam pjesë e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe nuk e kujtoj asnjë moment kur politika është përzier në vendimmarrje, mundet me u quajt politik emërimi i këshillit drejtues por asnjëherë vendimi i tyre në mbështetje të projekteve filmike nuk ka pasur ndonjë konotacion politik apo që këta anëtar kanë qenë pjesë e ndonjë partie politike. As atëherë kur kam qenë pjesë e këshillit drejtues e as kur tani jam drejtor asnjë parti politike, individ apo ministria në këtë rast nuk ka bërë ndonjë veprim i cili mund të konsiderohet si presion politik”, ka thënë ai për lajmi.net. 

Zharku thotë se në kulturë punohet në çdo nivel me një qasje tjetër.

“Ne dëshirojmë që njerëzit që marrin vendime në QKK si juritë vlerësuese, komiteti selektues për Oscar apo komisionet tjera, të jenë njerëz kredibil te cilët kanë karriere të dëshmuar kombëtare dhe ndërkombëtare ne profesionet e tyre dhe asnjëherë nuk na interesojnë opinionet e tyre karshi politikës dhe Qeverisë”, ka thënë ai. 

Ndonëse kishin kritikuar shpesh Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërhyrje në teatër, ata artistë madje kishin marrë shpërblime dhe mbështetje nga MKRS. Është rasti me Kushtrim Koliqin, Ardian Morinën dhe Rebeka Qenën. Të tretë ishin të parët kundër MKRS-së, duke e akuzuar për ndërhyrje, port ë tretë kishin marrë mbështetje nga shteti për të dërguar shfaqjen e tyre ‘Sikur kjo të ishte shfaqje’ në disa vende të Evropës. E pas kësaj, ata ishin shpërblyer nga MKRS me çmimin për shfaqjen për prezantim më të suksesshëm ndërkombëtar. 

Në teatër madje iu është hapur dera edhe atyre që kanë qenë edhe eksponentë politik të partive tjera. Është rasti me Agim Selimin, regjisorin që është në LDK dhe shpesh ka dalë në konferenca për shtyp për të kritikuar qeverinë për punën në kulturë. Por ai vet ka qenë regjisor i një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe është paguar për këtë. 

Aty ku Kosova ka pasur një ‘shpërthim’ ka qenë arti bashkëkohor. Ndryshimet në Galerinë Kombetare të Kosovës kanë sjellë edhe shumë ndryshime të tjera, që kanë reflektuar dukshëm në promovimin dhe punën e artistëve. 

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë se ka pasur mjaftë sfida në përmirësimin e gjendjes në kulturë. Por ata përmendin se ka qenë synim i tyre që kultura të depolitizohet. Dhe shtojnë se kësaj ia kanë arritur. 

“Hapi i parë ka qenë reforma legjislative. Me ligj ne kemi hequr çdo kompetencë që ka pasur më herët ministri për zgjedhjen e menaxherëve të institucioneve. Tash kjo përgjegjësi iu takon Këshillave drejtuese dhe secili këshill përbehet nga njerëz profesionist të artit”, ka thënë për lajmi.net, Shkelzen Dragaj, këshilltar i ministrit. 

Ai shton se hapa tjerë kanë qenë të vazhdueshëm dhe që kanë ardhur me kohën. 

“Kosova si asnjëherë më parë ka pasur një zhvillim të madh në kulturë. Është rritur dukshëm buxheti dhe tashmë ne jemi prezent si vend në ngjarjet më të mëdha të kulturës në botë. Kjo ka ndodhë si rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë dhe qasjes së pavarur që ka mbizotëruar si tek ne në ministri ashtu edhe në komunitet. Kjo ka munguar më herët dhe prandaj kanë munguar edhe rezultatet. Ne gjithmonë kemi qenë ata që artistët i kemi vendosur në krye të procesit dhe ministria e shteti, një lehtësues i punëve dhe mbështetës”, ka deklaruar Dragaj. 

Në vitin 2010, MKRS-ja kishte pasur buxhetin 10 milionë euro. E tash, pas katër vjetësh ky buxhet është 20 milionë euro. 

Rritja e pagave për artistët dhe rregullimi i kontratave për artistët e institucioneve kulturore nuk kishte ndodhur deri në vitin 2011. Kjo tashmë ka përfunduar dhe artistët përveç rritjes 100 % të pagës në vitin 2011 kanë përfituar edhe nga rritja e fundit  e pagave në sektorin publik. (lajmi.net)