Nisma: Arrestimi i Haradinajt i porositur nga politika e Beogradit

Nisma për Kosovën vlerëson se që nga 4 janari 2017 kur u ndalua Ramush Haradinaj në Aeroportin Bazel  - Mulhouse në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia, autoritetet franceze vazhdimisht pohojnë se ky akt nuk ka asnjë dimension politik!

Lajme

07/02/2017 13:56

Sipas këtij subjekti, përmes Ambasadës së Francës në Kosovë dhe përmes postës elektronike, Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën u ka dërguar autoriteteve të Francës Memorandumin lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt.

Në këtë memorandum thuhet se janë sjellë fakte që dëshmojnë se « Dosja Haradinaj » është dosje e porositur nga strukturat politike të regjimit të Millosheviqit, e sajuar nga Shërbimi Sekret Serb dhe e shpërndarë nga njerëzit e këtij regjimi.

“Si e tillë, akuza kundër Ramush Haradinaj është një akuzë e motivuar politikisht dhe urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia është urdhër- arrest i POROSITUR NGA POLITIKA e Beogradit. Që të shmang grackën e politikës serbe drejtësia franceze duhet ta lirojë menjëherë dhe pa asnjë kusht Ramush Haradinajn. Ky veprim është veprim i vetëm serioz dhe me dinjitet i një drejtësie vërtetë të pavarur”, thuhet në njoftimin e tyre./Lajmi.net/