Nis seanca gjyqësore ndaj Ramadan Mujës

Sot po vazhdon procesi gjyqësor ndaj Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij. Në këtë seancë gjyqësore është paraparë që Prokuroria të japë fjalën e saj përfundimtare.

Lajme

27/01/2014 09:12

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, sot po vazhdon procesi gjyqësor ndaj Kryetari të Komunës, Ramadan Muja dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij. Seanca gjyqësore ka nisur nga ora 09:00.

Avokati mbrojtës i Mujës, Ruzhdi Berisha konfirmoi për ‘PrizrenPress’ mbajtjen e seancës gjyqësore ndaj Mujës.

Trupi gjykues vitin e kaluar pat marrë vendim që procesi gjyqësor të vazhdojë më 27 janar 2014. Në këtë seancë gjyqësore është paraparë që prokuroria të japë fjalën e saj përfundimtare rreth ngritjes së akuzës që ka bërë ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës dhe drejtorëve të tij.

Avokati mbrojtës i kryetarit Muja, Ruzhdi Berisha, ndërkaq pat kërkuar nga trupi gjykues kohë për ta thënë fjalën përfundimtare. Ai preferon që fjalën e tij të bëhet varësisht nga ajo e Prokurorisë.

Berisha në çdo seancë gjyqësore ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që Prokuroria e EULEX’i ngarkon klientin e tij, Ramadan Mujën. Sipas tij, nuk ka elemente që veprimet e Mujës përbëjnë vepër penale. Vetë kryetari Ramadan Muja, ndërkaq ka deklaruar se të gjitha vendimet që i ka marrë kanë pasur për bazë interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Prizrenit.

Një prokurore e EULEX’it, akuzon kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin- drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn- ish-u.d së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin- drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.