Në Shalë të Bajgorës do të hapet një fabrikë e shisheve të plastikës

Baki Rexha dhe Fisnike Rexha, nga kompania gjermane Deutche Vermogens, kanë vendosur të investojnë në zonën e Shalës së Bajgorës. Ata kanë filluar me ndërtimin e një fabrike për riciklim, e cila do të prodhoj shishe të plastikës në në fshatin Vidishiq.

Lajme

09/05/2014 19:59

Në takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ata kanë kërkuar mbështetje, me qëllim që në të ardhmen të realizojnë edhe projekte të tjera në Zonën e Shalës së Bajgores, sikur është ai për grumbullimin e pemëve dhe perimeve, me çka do të ndihmoheshin të gjithë ata banorë të kësaj ane që merren me agrikulturë. 

“Besoj se do të kemi bashkëpunim shumë më të mirë në të ardhmen sa i përket investimeve në rajonin e Mitrovicës, më saktësisht në Shalën e Bajgores. E ndjej nevojën që në këtë pjesë të investohet. Unë kam filluar dhe po besoj që në të ardhmen biznesi im do të zgjerohet”, theksoi Rexha. 

Ai sqaroi se punon edhe në vendet aziatike dhe beson që në të ardhmen do të mund të sjellë investime të tjera në Mitrovicë. 

Ndërsa, kryetari Bahtiri ka mirëpritur një ide të tillë për ndërtimin e fabrikave për riciklim. Ai ka folur edhe për Zonën e Lirë Ekonomi në Mitrovicë. Sipas Bahtirit, kjo zonë do të krijojë shumë mundësi të mira për investues të jashtëm. 

“Në Zonën e Lirë Ekonomike në Mitrovicë do të krijohen kushte të favorshme për investues të jashtëm, pasi këtu përveç tatimeve që do të jenë zero, fuqia e lirë e punëtoreve dhe pozita e mirë, do të jenë një bazë tejet e rëndësishme për investime të huaja, që do të ndikonin në zhvillimin e Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri. (Kosovapress)