Në Askund jemi

Rrëfimi që paralajmëron krizë të thellë dhe tronditje të BE-së dhe të Perëndimit në përgjithësi, nuk ka mbërri ende tek ne, as në politikë, as në shoqëri, as në mediat tona, askund.

Opinion

01/12/2016 08:59

Blerim Shala

Këtë të diele, më 4 dhjetor pra, do të kemi votime në Itali, në Austri dhe në Drenas (në Kosovë).

Ashtu na thotë kalendari i shprehjes së vullnetit të qytetarëve, në dy shtete të BE-së dhe në një komunë të Kosovës.

Në Itali do të mbahet Referendumi për Reformat të organizimit të institucioneve qendrore të këtij shteti. Matteo Renzi, Kryeministri i Italisë ka vënë bast postin e tij në rast të dështimit të këtij Referendumi. Zgjedhjet e reja në Itali, po që se kjo do të jetë shtegdalja nga rënia e Qeverisë Renzi, njërës nga më të gjatat në historinë e demokracisë parlamentare në Itali  (mbi 1000 ditë tashmë), do të mundësojnë një tjetër mësymje të popullizmit të majtë dhe të djathtë, që bashkohen në shprehjen e dyshimeve në perspektivën e BE-së.

Në Austri situata është edhe më kritike. Sërish mbahen zgjedhjet presidenciale, ku do të përballen një liberal dhe pro-evropian, çfarë është Alexander Van der Ballen i Partisë së Gjelbër (me përkrahjen e partive tradicionale të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë), me një popullist djathtist anti-evropian, çfarë është Norbert Hofer. Fitorja eventuale e Hoferit në këto zgjedhje, do të shtojë gjasat që viti i ardhshëm të jetë vendimtar për fatin e Bashkimit Evropian. Apo për fatkeqësinë e tij, në fakt.

Edhe ashtu, viti 2017 duket që do të jetë më i rëndësishmi në historinë e re të BE-së, së paku që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë (1989-të), e këndej. Zgjedhjet në Gjermani, në Francë dhe në Holandë, do ta përcaktojnë drejtimin që do ta merr BE-ja, në variantin më të keq, madje, edhe të çarjes së pariparueshme të unitetit, nëse kandidatja e ekstremit të djathtë për Presidente të Francë, Marine Le Pen, do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale. Le Pen e do Francën jashtë BE-së, dhe ky vendim i saj  (presidencial), do të kishte domethënien edhe të daljes së BE-së çfarë e kemi njohur qe gjysmë shekulli, nga skena historike dhe politike evropiane. Pa Britaninë e Madhe tutje disi mund të ketë BE, por pa Francën jo.

Mund të merret me mend çka do të thotë për Evropën, dhe çka do të bëhet me Evropën, pa Bashkimin Evropian.

Pra, Evropa tashmë ka hyrë, pas Brexit-it dhe fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale në Amerikë, në periudhën kritike e cila do të përfundojë për të mirë apo për të keq, falë votës së qytetarëve në Itali, në Francë, në Gjermani, Holandë dhe Austri.

Sidoqoftë, përmasat e sprovave për shtetet më të fuqishme evropiane, kanë mbërri nivelin kur më kush nuk guxon të merret me parashikime të qëndrueshme.

Zatën, si parashikimet e këtij lloji, si themelet e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së këtyre shteteve, varen mbi të gjitha nga zhvillimet politike dhe ekonomike, nga dukuritë që nuk bën të shënohet, thjeshtë, nuk bën të ndodhin.

Kjo siguri tashmë ka humbur në Perëndim, është bë hi dhe pluhur në kutitë e votimit në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.

I gjithë ky rrëfim që paralajmëron krizë të thellë dhe tronditje të BE-së dhe të Perëndimit në përgjithësi, nuk ka mbërri ende tek ne, as në politikë, as në shoqëri, as në mediat tona, askund.

Nuk flet kush për gjithë këtë pështjellim të rrezikshëm që sa po shkon koha, më shumë po e mbërthen Evropën. Ne tutje nuk mund të shkojmë kund pa viza (në shtetet e Zonës së Schengen-it), sepse ende nuk e kemi marrë Liberalizimin e vizave, por kjo nuk do të thotë që ngjarjet dhe dukuritë shumë problematike evropiane nuk mund të mbërrijnë edhe në Kosovë. Dhe atë, në variantet më të këqija të mundshme.

Nuk kemi gjë në dorë ne këndejpari, për t’u mbrojtur sadopak prej pasojave të ndryshimeve rrënjësisht të këqija në BE. Zatën, vetëm zvogëlimi i madh i dërgesave financiare nga kosovarët që jetojnë në Evropën Perëndimore, të cilat vitin e shkuar kaluan shifrën prej 700 milionë Euro-ve, do të kishte pasoja lehtë të parashikueshme për stabilitetin edhe ashtu të brishtë social të Kosovës.

Shumëkush mund të shtojë këtu që një shtet i vogël çfarë jemi ne, nuk mund as të ketë pretendime t’i shpëtojë logjikës së ortekut të borës që nisë atje diku lartë në Evropë.

Por është e pakuptimtë për të gjithë ne, e pafalshme për këtë vend, e pakapshme për çfarëdo logjike, e papërballueshme për një shoqëri të organizuar, çfarë shteti është, që në politikën kosovare kush nuk merret me Evropën e sotme, me BE-në, ku duam të jemi, sa më parë.