Nuk do të ketë takim kryeministrash, pa zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia

Takimet e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve nuk do të zhvillohen për sa kohë nuk do të ketë zbatim të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve.

Lajme

15/05/2015 15:52

Këtë e ka bërë të ditur ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri.

“Nuk do të ketë ndonjë takim të nivelit politik para se të arrihen rezultate konkrete, apo derisa të dyja palët të arrijnë në qëndrime të njëjta rreth çështjeve”, tha Tahiri për Balkan Insight, transmeton Kallxo.com.

Ajo tha se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, beson se nuk ka arsye për takime të tilla, derisa të shihet progresi.

Ndërkohë grupet punuese do të vazhdojnë të takohen gjatë majit, dhe progresi në këto takime do ta përcaktojë datën e takimit të ardhshëm ndërmjet dy kryeministrave.

“Ne do të kemi një seri takimesh këtë muaj. Suksesi i këtyre takimeve do ta përcaktojë datën e takimit të ardhshëm të nivelit politik. Takimet do të përqendrohen në sigurimin e automjeteve, aspekte të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe mundësinë e hapjes së dy pikave të reja kufitare”.

“Udhëtimi i ndërsjellë Kosovë- Serbi është bërë i vështirë për shkak të tarifave të larta të sigurimit në kufi, dhe për shkak se veturat e regjistruara në vendin tjetër duhet të pajisen me tabela të përkohshme regjistrimi për të kaluar, përveç problemeve tjera”, ka thënë Tahiri.

Ministrja Tahiri tha se është gjetur një zgjidhje për problemin e sigurimeve, por u shpreh se Serbia po e bllokon marrëveshjen tash e pesë muaj.