NATO-ja mbështet transformimin e FSK-së nën mandatin e saj aktual

Zyrtarë nga NATO-ja kanë deklaruar se ata e mbështesin transformimin e FSK-së nën mandatin e saj, por jo edhe nëse kjo gjë ndërron.

Lajme

20/10/2018 21:27

“Pozicioni i NATO-s është i qartë: NATO-ja mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale dhe një burim stabiliteti rajonal”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje në përgjigjen e NATO-s për “Zëri”, thuhet se nëse i ndërrohet mandati FSK-së atëherë do ta rishqyrtojnë edhe angazhimin e tyre në Kosovë.

“Nëse ky mandat evoluon, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhej ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë. Është e rëndësishme që çdo iniciativë në lidhje me mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s. NATO-ja mbetet e angazhuar për sigurinë dhe për stabilitetin e Kosovës përmes KFOR-it, operacionit tonë më të gjatë”, thuhet në këtë përgjigje.