Nafta pa standard e Ballshit hyn në Kosovë, rrezikohen veturat dhe shëndeti

Sipas burimeve të lajmi.net, në Kosovë është duke u futur në mënyrë të pakontrolluar naftë e cilësisë së dobët, sidomos ajo e prodhuar në Ballsh të Shqipërisë, që sipas rezultateve laboratorike rezulton të jetë shkatërruese për veturat dhe e dëmshme për ambientin në të cilin jetojmë. 

Lajme

28/10/2014 14:56

“Trupat inspektues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nuk janë duke bërë verifikimin e cilësisë së derivateve të naftës të importuara, e sidomos të asaj që vije nga Rafineria e Ballshit”, ka thënë me kusht anonimiteti për lajmi.net, një zyrtar i lartë i Doganave të Kosovës.

Sipas këtij burimi, Dogana është e pakënaqur me sjelljen e inspektorëve të kësaj ministrie, të cilët duke shfrytëzuar vakuumin institucional të krijuar nga kriza politike, nuk po e bëjnë analizën e mostrave, duke i marrë si të mirëqena të dhënat që i shtypin vetë kompanitë importuese.

“Inspektorët, për një arsye a tjetër, janë duke u bazuar vetëm në të dhënat që kompanitë shënojnë në dokumentacionet e deklaruara doganore, por që nuk përkojnë më cilësinë reale të naftës që sjellin”, ka thënë ky burim, duke përkujtuar se jo të gjitha kompanitë sjellin naftë të cilësisë së dobët.

Analizat laboratorike të naftës së Rafinerisë së Ballshit tregojnë nivele të larta të parametrit të lubricitetit, i cili sipas standardit EN ISO 12156-1 duhet të këtë jo më shumë se 460 µm, por mostrat e marra tregojnë nivel prej 545 µm, si dhe nivel të lartë të numrit të ashtuquajtur të cetanit, që sipas standardit EN ISO 5165 duhet të shënojë vlerën mbi 51, përderisa nafta e importuar në Kosovë ka vlerën 47.   

Lubriciteti, sipas këtij burimi, është një faktorë shumë i rëndësishëm për jetëgjatësinë e veturës dhe punën e motorit pasi që ajo mundëson lëvizjen e duhur të pjesëve motorike, ndërsa numri i cetanit ndikon në shpejtësinë e djegies së naftës gjatë punës së motorit.

“Importimi i derivateve të pakontrolluara, të cilat kanë nivele jo standarde të parametrave cilësorë dhe ambiental, ndikojnë në çrregullimin e tregut, dëmtojnë veturat, ambientin dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në shëndetin e qytetarëve”, ka thënë burimi i lajmi.net brenda Doganave të Kosovës, rreth papërgjegjshmërisë së një numri të inspektorëve të kontrollit të cilësisë së naftës.