Na doni dhe na votoni

Hashim Thaçi u prit me valle në fshatin Romajë të Hasit. Të pranishmëve u tha se ata kanë pasur dashuri për PDK’në edhe më herët, por s’e kanë votuar, ndërsa kësaj radhe beson në votën e tyre.

Lajme

27/10/2013 18:19

Kryeministri Thaçi u tha të hasjanëve se e njeh Hasin mirë dhe këtej e ka kaluar kufirin nga viti 1992 për në Shqipëri, prandaj Hasi “me të drejtë e meriton epitetin – Porta e Lirisë së Kosovës”.

“Prania juaj kaq madhështore më gëzon se ju më në fund e keni përkrahur PDK’në edhe pse na keni dashur edhe më parë, por nuk na keni votuar. Ndërsa sot, prania juaj është dëshmi se do ta votoni numrin 99 dhe Ramadan Mujën, i cili ka bërë shumë për ju, por do të bëjë edhe më shumë”.

Kryeministri Thaçi ka përmendur faktin se themelimi i dy komunave, Rogovës dhe Gjonajt, dëshmon interesimin e PDK’së që rajonit të Hasit, ku gjatë luftës çdo shtëpi ka qenë shtab i UÇK-së, t’i kthehet dinjiteti.

“Besoj se nuk do t’i votoni ato parti të cilat nuk kanë votuar që këtë vit të bëheni komuna dhe të votoni për komunat tuaja”.

“Ne do të investojmë edhe më shumë, dhe të gjitha premtimet e Prof. Dr. Ramadan Mujës do të përkrahen fuqimisht nga unë”.

Kandidati për Kryetar të Prizrenit, Ramadan Muja tha se në këtë vend ka investuar sipas mundësive.

“Deri më tash kemi investuar aq sa na janë dhënë mundësitë, ndërsa në të ardhmen do të angazhohemi për një zhvillim më të hovshëm të bujqësisë, për hapjen e një shkolle profesionale si dhe do të përfundojnë të gjitha rrugicat që kanë nisë të shtrohen në kubëza”.