Murtezaj: LDK-ja, konstruktive si çdoherë

Temat e mëdha, që pritet të trajtohen në ditët e ardhshme, do ta kenë gjithmonë kontributin konstruktiv të Lidhjes Demokratike të Kosovës si çdoherë. “Kjo nuk është e lehtë, por është e duhura në këto momente jo të lehta për Kosovën”, ka thënë Valon Murtezaj gjatë intervistës

Lajme

08/05/2017 08:33

Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme, e cila po kujdeset për shtetësinë e Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj. Më tutje Murtezaj i ka quajtur joetike deklaratat e disa zyrtarëve të PDK-së, se nuk ka vendimmarrje në Qeveri.

Sipas ish-zëvendësshefit të stafit të kryeministrit Mustafa, temat e mëdha që pritet të trajtohen në ditët e ardhshme do ta kenë gjithmonë kontributin konstruktiv të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kjo nuk është e lehtë, por është e duhura në këto momente jo të lehta për Kosovën. Prandaj duhet një mobilizim i të gjithëve, i partive, i qytetarëve, i liderëve, i shoqërisë civile për të kontribuuar që jeta cilësore e qytetarëve të jetë objektiva madhore”, ka thënë Murtezaj gjatë intervistës.

Ndërkohë, ai ka thënë se Projektligji për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi do të aprovohet në mbledhjen e Qeverisë dhe pastaj do të procedohet sipas rregullave në Kuvend për miratim.

“Me miratimin e ligjit në Kuvend hapet rruga për lëvizjen e lirë pa viza. Ky është kriteri i vetëm i mbetur. Kosova ka nevojë për t’i bërë ndërkombëtarisht të njohur kufijtë e saj”, ka shtuar ai./zeri.info/