Mulliqi shfaq “balerinat energjike” në Rumani

Skulptori nga Kosova, Luan Mulliqi ka hapur ekspozitën e tij në Galerinë Triada të qytetit Timishoara në Rumani. Prezantimi i 20 skulpturave në bronz ka zgjuar interesim tek shumë artdashës dhe media rumune.

ShowBiz

06/04/2014 18:19

Skulptori kosovar gjatë fjalës së tij ka përkujtuar miqësinë tradicionale në mes të shqiptarëve dhe rumunëve, duke filluar kështu nga princesha e kulturës evropiane – Dora d’Istria, e deri te personalitetet e komunitetit shqiptar në Bukuresht, në krye me Asdrenin.

“Popujt tonë i lidh një miqësi e gjatë, posaçërisht në fushën e kulturës, e cila arriti kulmin në fund të shekullit të 19-të. Kulturat tona e kanë të përbashkët Princeshën e Kulturës Evropiane – Dora d’Istria, e cila ishte me prejardhje shqiptare dhe e lindur në Bukuresht”, ka thënë Mulliqi në hapjen solemne të ekspozitës.

Në fund të fjalës së tij, Mulliqi ka ftuar dy artistë nga Rumania që të jenë mysafirë në rezidencën e tij artistike në Prishtinë.

Një mikpritje të mirë, Mulliqi e ka pasur edhe nga Sorina Jecza drejtoreshë e Galerisë Triade, e cila tregoi që është hera e parë që në Rumani shfaq punën e tij një artist shqiptar.

“Mulliqi është skulptor i shkëlqyeshëm me stil të veçantë dhe një intelektual i madh. Ky është vetëm një fillim i mbarë dhe shpresoj se ky bashkëpunim do të rritet mes nesh”, ka thënë Jecza.

Ndërsa kritiku i artit, Marcel Olcea tha se “origjinaliteti krijues i balerinave energjike të Mulliqit tregon se është një artist i madh i skulpturës bashkëkohore”.

(KosovaPress)