MPB thotë se ka ulje të aksidenteve në trafik

Pas fillimit të zbatimit të nenit 43 të Ligjit për Automjete, Nr. 05/L-132 dhe pas rritjes së masave të sigurisë në komunikacion nga ana e Policisë së Kosovës, në Republikën e Kosovës ka filluar të bjerë numri i aksidenteve në trafik.

Lajme

04/07/2018 16:06

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, numri total i aksidenteve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka rënë për 13.25 për qind.

“Nga 8073 aksidente në trafik që kanë ndodhur në periudhën janar-qershor 2017, sivjet kanë ndodhur 7003 aksidente, që do të thotë 1070 aksidente më pak”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Ndërsa, krahasuar muajin qershor 2017, ku kanë ndodhur 15 aksidente, në qershor të këtij viti kanë ndodhur pesë aksidente me fatalitet.

Gjithashtu është bërë rritja të hyrave nga gjobat e trafikut për periudhën janar-qershor 2018, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Nga shuma e inkasuar prej 1 milionë e 514 mijë euro, këtë vit janë inkasuar 2 milionë e 860 mijë euro.

Ministria e Punëve të Brendshme, fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të respektojnë rregullat e komunikacionit, sidomos gjatë sezonit veror kur pritet të rritet numri i pjesëmarrësve në komunikacion rrugor.

Që nga muaji i kaluar Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar me zbatimin e nenit 43 të Ligjit për Automjete, Nr. 05/L-132, i cili kërkon që: “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor“./Lajmi.net/