Ministrja kosovare në tur lobimi për liberalizimin e vizave

Në prag të publikimit të raportit të Komisionit të BE-së për liberalizimin e vizave, ministrja e Kosovës për Integrimin Europian, Dhurata Hoxha, ishte për një vizitë lobuese në Berlin.

Lajme

06/07/2018 16:00

 Ministrja e Kosovës për Integrim Europian, Dhurata Hoxha, ishte për një vizitë pune në Gjermani për të sensibilizuar për liberalizimin e vizave. Ajo u takua aty me homologun e saj, ministrin e shtetit për çështjet e Europës, Michael Roth, kryetarin e komisionit parlamentar për Bashkim Europian, Gunther Krichbaum dhe sekretarin parlamentar të shtetit pranë ministrisë së punëve të brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer.

Në këto takime Hoxha ka kërkuar njohjen e përpjekjeve të Kosovës për të përmbushur kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave: “Është fatkeqësi që Kosova ende po vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar”, tha ajo në përfundim të takimeve për programin shqip të Deutsche Welles. “Kërkojmë që progresi i bërë të njihet dhe që të ketë një vendimmarrje të shpejtë në mënyrë që qytetarët tanë të mos mbesin peng i vendimeve politike.”

Në pritje të raportit

Hoxha tha se pret që Komisioni i Bashkimit Europian të dalë së shpejti me një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, tani që kushti kryesor që kishte mbetur, çështja e demarkacionit me Malin e Zi u plotësua. “Shpresojmë dhe llogarisim edhe në përkrahjen e shteteve anëtare veç e veç në mënyrë që procesi vendimmarrës politik të përfundojë sa më shpejt dhe qytetarët të shijojnë lirinë e vizave”, tha Hoxha më tej, e cila për të njëjtën arsye kishte qenë para dy javësh edhe në Paris.

Me mision të ngjashëm si ai i ministres së Europës, javën e kaluar ishin në Gjermani dhe Francë edhe disa deputetë të partive të opozitës dhe pozitës nga Kosova, të cilët po ashtu në diskutimet që patën me kolegë të tyre në Bundestag dhe në një tryezë të rrumbullakët në fondacionin Konrad-Adenauer kërkuan mbështetje për liberalizimin e regjimit të vizave.

Numri i azilkërkuesve në rënie

Momenti i pritjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave është pak i disfavorshëm për Kosovën, për shkak të debatit aktual në Europë për migracionin e parregullt. Dhurata Hoxha është e vetëdijshme për këtë: “Ne i njohim sfidat por dimë edhe që vendet anëtare nuk i kanë këto rezerva vetëm ndaj Kosovës, por ne kemi ndërmarrë fushata vetëdijësuese me të cilat kemi informuar qytetarët se Kosova është vend i sigurt i origjinës për vendet e Bashkimit Europian dhe nuk mund të kërkojnë azil.”

Pas fluksit të madh të azilkërkuesve nga Kosova në vitet 2015 e 2016, numri i azilkërkimeve nga shtetas të Kosovës në vitin 2017 pat rënë në mënyrë drastike, nga 50 000 (2015-2016) në 1240 (2017). Në tremujorin e parë të vitit 2018 numri ka qenë edhe më i ulët: me 169, pra tendenca është në rënie. Nga ana tjetër, është shtuar numri i vizave të punës, çka tregon se migracioni ekonomik mund të bëhet edhe në mënyrë të rregullt, pa keqpërdorur rrugën e azilit.

Kritikë ndaj Serbisë

Një temë tjetër e bisedimeve, sipas Hoxhës, ishte edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, për të cilin ajo ka kërkuar mbështetje më të fuqishme edhe nga Gjermania. “Tani nevojitet një fokus edhe më i madh sidomos i Gjermanisë e Francës me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, që ky proces të ketë një kornizë kohore dhe një objektivë përfundimtare”, tha Hoxha, duke shtuar se qëllimi i Kosovës është njohja e ndërsjellë.”

Në intervistë me Deutsche Welle-n Hoxha kritikoi presionin që u ushtron Serbia serbëve që janë anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës: “Në Forcat e Sigurisë së Kosovës ne kemi arritur një përqindje të lartë integrimi të serbëve të Kosovës dhe tani po e vërejmë që Serbia po bën presion që edhe këta serbë që janë aktivë të forcave të sigurisë së Kosovës të tërhiqen”, tha Hoxhaj: “Dhe kjo është me të vërtetë një fatkeqësi, sepse nuk i ndihmon aspak normalizimit të marrëdhënieve”, përfundoi ministrja e Europës në intervistën për DW.